Në shumicën e shkollave të Kosovës të hënën ka filluar gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor. Ndonëse ishte paralajmëruar që mësimi të nisë sipas skenarit A me prezencë fizike, disa institucione shkollore mësimin e kanë filluar sipas skenarit C, duke mbajtur mësim online.
Në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Shkëndija”, në Hajvali, reshjet e fundit kanë shkaktuar rrjedhje të ujit brenda objektit. Për këtë arsye janë bërë disa ndërhyrje dhe shkolla nuk ka qenë e gatshme për mësim.
“Para disa ditësh që ishin vërshimet e mëdha dhe te ne u shkaktu një problem i paparashikueshëm, një rrjedhojë e ujit e cila shkaktoi probleme të mëdha dhe falë mobilizimit të drejtoreshës së DKA-së brenda dy ditësh është evidentuar se ku është problemi, dhe për momentin sot dhe nesër do të punohet sipas skenarit C dhe pastaj të mërkurën do të startohet sipas skenarit A”, ka thënë Minire Berisha, drejtoreshë e shkollës.
Probleme të njëjta nga reshjet janë shkaktuar edhe në dy shkolla të tjera të kryeqytetit, në gjimnazin “Ahmet Gashi”, dhe në shkollën e mesme të Mjekësisë të cilat po ashtu, mësimin e kanë nisur online.
E pushimi njëmujor dhe temperaturat e ulëta kanë bërë që shkollat të cilat janë hapur të hënën të jenë të ftohta. Megjithatë, drejtues shkollash janë zotuar se ditëve në vijim nuk do të ketë probleme të tilla.
“Ne kemi filluar mësimin pa probleme teknike, normalisht që nxënësit vijnë në një mot që është goxha i ftohtë dhe përkundër që nxehja punon dhe e kemi lëshuar edhe ditë më parë para se të nisë mësimi vërehet që nuk ka ngrohje të mjaftueshme mendoj që nga mesdita e më tutje do të përmirësohet”, ka thënë Shefki Rusinovci, drejtor i shkollës “Pavarësia”.
Shkollat e Pejës, Istogut, Klinës, Deçanit, Fushë-Kosovës, Obiliqit, Podujevës, Drenasit, Vushtrrisë e të disa komunave të tjera, ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë mësimin e kanë nisur në skenarin A.
Drejtor komunalë të Arsimit e kanë konfirmuar se të gjitha shkollat janë furnizuar me dezinfektues e pajisje të tjera higjienike në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Arsimit për numrin e saktë të shkollave në Kosovë që të hënën nuk kanë qenë të gatshme për mësim, por nuk ka marrë përgjigje.