Gjendja në komunën e Skenderajt duket të jetë e rënduar si pasojë e reshjeve të cilat kanë shkaktuar vërshime, ndërsa shumë familje kanë pësuar dëme të mëdha
Ekonomia Online të premten ka qenë në familjen Murtezi, ku ka parë nga afër dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet.
Kryefamiljari Xhavit Murtezi, ka thënë se vërshime të tilla nuk ka përjetuar asnjëherë. Thotë se dëmet janë të pariparueshme.
“Kjo është vëllait, atje është shtëpia ime e treta edhe siç po e shihni edhe vet ishte një fatkeqësi natyrore po ta quajmë kështu, jonormale se ne këtu nuk jemi sot banorë por jemi ndoshta me qindra, me mijëra vjet këtu edhe kurrë kjo nuk ka ndodhë, këtu ara kanë qenë edhe janë mbjellë me grurë, mirëpo tash janë bërë disa ndryshime, shkak që ka ardhë deri te kjo edhe sigurisht edhe të reshurat kanë qenë pak më shumë se tjetrën pjesë, ky lum është lumi ‘Klina’, ka ujë mjaft shumë po është lum shumë i rreptë”, ka thënë ai.
“Unë veç në Amerikë kur kam pa një ‘tsunam’ siç është ka ndodhë në Skenderaj është e çuditshme, ne kemi përjetuar edhe tërmetin në 78-ës ka qenë disa shkallë, ka pas dëme, mirëpo këto janë dëme jashtëzakonisht të mëdha edhe të pariparueshme, mirëpo kur po e mendoj çka kam përjetuar gjatë luftës, sa njeri ka dhënë ka s’di sa anëtarë të familjes edhe plus edhe shtëpitë e këto kjo kalon, unë kam shpresë kaloi, ka me kalu edhe duhet veç vullnet”, thotë tutje ai.
Ai thotë se fatmirësisht nuk ka viktima në njerëz, dhe se dëmet që janë shkaktuar, mund të kompensohen.
“Nuk di çka të iu them Ishalla s’kisha dëshiru kurrkujt, por kur s’ka viktima të njerëzve këto të gjitha kalojnë, na po them kemi qenë shumë punëtorë të mëdhenj e kalojna, kemi me kalu edhe këtë, këta të rinjtë pak ma të ndijshëm po po besoj që këto ndodhin edhe në krejt botën këso senesh edhe te na që besoj që kena me kalu bashkërisht me solidaritet edhe vullnetin e shoqërisë në përgjithësi”, u shpreh ai.