Ai që e njeh kulturën tonë politike do të e kapë menjëherë idenë e këtij shkrimi. Kemi të bëjmë, pra, me një dilemë, krejtësisht politike. Nga një libër shkollor, aq më tepër nga muzika, nuk kemi pritur probleme publike, por ja që na ndodhi. Si të jetë publike, me automatizëm është edhe politike, sepse te ne gjithçka merr frymë përmes politikës.
“Dy dele, treqind pare”, – kështu thotë, kënga e famshme, e përjetësuar së fundmi edhe në librat shkollor të fëmijëve tonë. Kjo këngë i shqetësoi me të drejtë prindërit. Kur dihet se kjo këngë, për nga fama, renditet menjëherë pas këngës më të kënduar nëpër dasmat tona, e cila flet për një gjarpër i cili del, nga dika, për me na ngrënë, atëherë krejt kjo, përfundimisht merr ngjyrime politike.
Delet, gjarpri, blegërima në stilin “BE”, etj. Nuk e kapët idenë?
“Ooo , puna e mare deshta me të thanë eee , Dul ni gjarpen , me na ngran eee” , – është refreni i këngës së famshme, e cila, duket se, me vendim politik ka mbet jashtë librave shkollorë, duke i privuar kështu fëmijët tonë nga përvoja dhe urtia popullore. Për shembull, ti do me i thënë kryeministrit “ punë e mbarë”, dhe aty futet menjëherë gjarpri në politikë.
Tash, lidhur me delet, dhe çmimin e tyre, vërtetë ka konfuzion, në politikën tonë kulturore, përderisa kjo për gjarprin, është krejtësisht e kuptueshme, përse nuk është futur në libra.Kur kihen parasysh nofkat e kohës së luftës, kuptohet lehtë.
Do ti, i mëson fëmijët të përshëndesin me “Punë e mbarë” , e në tekst futet papritmas gjarpri!
Mesazhe të tilla të cilat denigrojnë punën. Edhe politikën.
Të kuptohemi, krejt kjo mund, edhe të mos ketë fare ngjyrime politike. Ndoshta mund të ketë qenë vetëm debat publik, rreth çmimit? Në fund të fundit, kjo është, një aferë, e tepërt , e ngritur nga ana e prindërve jo falënderues. Tekstet janë falas, sipas vendimit të politikës. Si thotë fjala e urtë, deles së falur nuk i shihen dhëmbët, o prindër!
Në rregull, fjala e urtë flet për kuajt e falur, pastaj as delet, e kësaj kënge nuk janë falas, janë 300 pare si thotë edhe këngëtari popullor.
Por librat, ama, janë falas. Shumica, janë falas. Disa që janë falas por nuk i gjejnë, i blejnë, por kjo është temë tjetër, dhe kur kihet para sysh çanta e rëndë e shkollarëve tonë, edhe një libër më pak, do të thotë shumë për supet e tyre të brishta.
Tash, të e shohim problemin edhe nga këndi i përshtatshmërisë moralo-politike. Diferencimin ideo-politik, e kem trashëgimi kulturore. Ndoshta lepuri ndodhet, pikërisht aty?
Qysh dihet publikisht, delet tona, dinë të thonë, vetëm “BE”, dhe dorën në zemër, në blegërimën e tyre nuk ka asgjë të kontestueshme politikisht. Atëherë çka mund të i ketë nxitur këto reagime prindërish në rrjetet sociale? Forcat anti-evropiane? Estekfurullah!
Çfarë u pengojnë delet nëpër libra? Po të ishte për gjarprin, në rregull, kjo mund të kuptohej!
Sido që të jetë, fjalën e fundit , pra e ka politika. Edhe pse te ne nuk dihet ku fillon kultura, e ku përfundon politika, shkenca apo arsimi. Sidoqoftë, kur jemi te politika jonë, ajo është tepër e sofistikuar. Ka lloj-lloj politikash dhe politikanësh. Por ata nuk mësohen në librat e muzikës. Ata mësohen në librat e historisë.
Ka për shembull, politikan që ju bëjnë me qeshë me lot. Krejt Kosova shkërryhet për toke, kur ata dalin në media apo kur shkruajnë në profilet e veta. Ka edhe të atillë që i mbushin stres njerëzit. Ka po ashtu edhe të atillë që prekin zemrat, ndjellin lot, flasin për viktima sa here nuk kanë ndonjë ide çfarë të bëjnë tjetër. Ka edhe nga ata që synojnë drejtpërdrejtë gjëndrat. Kam shkruar për këta të fundit, në kolumnën time për hormonet, për adrenalinën dhe serotininën. Për taktikën ftohtë-nxehtë, kur populli i nxitur nga fjalët e tyre, herë mërdhinë herë digjet në temperaturë mbi dyzet dhe flet përçart shesheve…
Por, ka edhe të atillë që nuk nxisin kurrfarë reaksioni. Krejt dekt, rreth tyre. Thjesht, publiku nuk reagon fare. As mish, as peshk, thotë populli. Ata nuk sjellin bereqet nëpër hambare të partive. Partitë mbijetojnë me para e jo me parime. Nuk sjellin pëlqime. Nuk sjellin vota. Nuk sjellin zemra. Sido që të jetë, mbijetojnë vetëm ata që e gjejnë publikun e tyre, sepse rrjetet sociale janë media e cila përfshinë edhe votuesit potencial, të cilët për dallim nga zgjedhjet tradicionale, çdo tri/katër vjet, votojnë çdo ditë me (mos) pëlqimet e tyre, me zemrat e kuqe, apo gishtat përpjetë/ teposhtë. Poshtë e përpjetë, si do të thoshte dikur Ademi ynë i madh.
Kanë dalë edhe profesione të reja. Falë zotit, dhe politikës, me qindra e mijëra njerëz jetojnë duke punuar me tri katër ndërrime, duke “punuar” në “facebook”, “instagram”, apo duke ”cicëruar” për shefat e tyre. E keni parë një politikan, nga maja e politikës, duke bërë ndonjë koment të thellë për fenomene, dukuri apo ngjarje, e madje edhe persona për të cilët se kanë as idenë më të vogël? Keni parë, sigurisht! E keni kuptuar tashmë se nuk i shkruajnë ata, vet? Ndoshta edhe do të i shkruanin, por nuk kanë kohë. Pastaj përse të merren me diçka që nuk e kanë zanat. Ka aq shumë nevojtarë ndër ata që dinë të shkruajnë.
Fundja, kudo në botë fjalimet e politikanëve i shkruajnë profesionistët. Të jesh një politikan, mjafton të mos e lësh masën indiferente.
Vërtetë, bëjnë 300 pare, dy dele, sot? Prindërit, janë ankuar në rrjete sociale. Mësuesit thonë se teksti i këngës, nuk është për nivelin e fëmijëve të kësaj moshe. Është për të rriturit. Për politikën.
“Rren, rren, rren#, – do të hyj në debat, politika. Politika, vetëm politika e di sa bëjnë dy dele…! Prindërit janë futur kot në këtë mesele…!