Veseli bisedë telefonike me përfaqësuesit fetarë rreth Coronavirusit

Prishtinë | 20 Pri 2020 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare shqiptare të Kosovës, myftiun Naim Tërnava si dhe ipeshkvin Dodë Gjergjin, në lidhje me situatën e krijuar nga përhapja e Coronavirusit.

Veseli i ka falënderuar ata për rolin konstruktiv që e kanë luajtur gjatë kësaj situate duke qetësuar njerëzit për të mos krijuar panik si dhe duke pranuar shmangien e ritualeve fetare në objektet e kultit që dëmtojnë distancën e nevojshme sociale.

“Kërkova prej tyre që të vazhdojnë të porosisin besimtarët tanë, për të ndenjur në shtëpi, për t’u kujdesur edhe më shumë për veten, për familjarët e sidomos për të moshuarit, të cilët edhe janë më të rrezikuarit. Të gjithë së bashku, duke mos e humbur besimin në Zot dhe duke u kujdesur për njeri tjetrin, kemi për t’ia dalë mbanë kësaj sfide”, deklaroi Veseli.

https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/posts/1566245550217312


Të ngjashme