Veseli dëgjon idetë e fermerëve në Lipjan

Lipjan | 15 Mar 2017 | 17:46 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka bashkëbiseduar me fermerët dhe biznesmenët në komunën e Lipjanit, për të dëgjuar nga ta idetë dhe sugjerimet në fushën e bujqësisë për zhvillim më të hovshëm ekonomik.

Gjatë turit të dëgjimit, Veseli ka marrë ide të ndryshme për të përmirësuar kushtet e fermerëve, si dhe për të stimuluar më shumë edhe gratë që merren me biznese dhe artizanale.

Fermeri Valon Vehapi ka propozuar që shteti të ndikojë në dogana për importin e grurit, pasi drithërat e vendeve të huaja po i dëmtojnë bujqit kosovarë.

“Si prodhues i grurit që jam, që i kam mbi 100 hektarë tokë, neve na shqetëson çështja e çmimit të drithërave. Neve na del me 15 centë çmimi i grurit si prodhues që jemi, a faktikisht sivjet kemi pasë shumë problem me shitë dhe na ka mbetur nëpër sillosa. Nëse nuk është mundësia që Ministria e Bujqësisë me rritë subvencionimin me bë 250 apo 300 euro për hektar. A ka mundësi që shteti me doganu grurin që vjen prej jashtit dhe me i mbrojtë interesat e bujqve”, tha Vehapi.

Ndërsa Bedrije Krasniqi, e cila udhëheq një shoqatë të grave në fshatin Magure të Lipjanit, kërkoi që institucionet të jenë më afër grave dhe të stimulojnë ato në idetë e tyre për të punuar në fusha të ndryshme.

“Me na ndihmu, me pas vëmendje sa më shumë edhe për gjininë femërore, se ka gra të diplomuara, me artizanale dhe rrobaqepësi. Jemi gra edhe të arsimuara. Vetë lufta na ka bërë që nuk kemi mundur të gjitha ta vazhdojmë shkollën më tutje. Domethënë me pas diku ku edhe ne me i shpalosë hallet tona dhe me pas përkrahjen e institucioneve”, tha Krasniqi.

Pasi dëgjoi idetë dhe sugjerimet e fermerëve dhe bizneseve lokale, kryetari Veseli tha se nevojitet trend i ri i zhvillimit ekonomik, i cili do të ndikonte në hapjen e vendeve të punës dhe në fuqizimin e sektorit privat.

“Pa ja dhënë hakun punëtorit dhe pa e trajtuar mirë punëtorin, nuk do të kemi as zhvillim ekonomik të fuqishëm. Do të thotë në rend të parë atyre që përpiqen, të cilët kanë qëllim të mirë, të cilët e kanë punën. Puna pastaj e krijon biznesin. Këto janë gjëra të cilat janë duke e prekur drejtpërdrejt ekonominë tonë. Nuk ka ekonomi të zhvilluar pa pasur biznese të vogla dhe të mesme”, tha Veseli.

Të ngjashme