Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, sot kanë vizituar kompaninë “OSA-Termosistem” në Rahovec, ku kanë bashkëbiseduar me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve.
Lideri i PDK-së, Veseli, ka thënë se Fillimi i Ri nënkupton një qeveri që është e aftë të marrë vendime dhe të arrijë rezultate të prekshme për qytetarët tanë, e jo qeveri me lidership të paguximshëm dhe pa vizion për të ardhmen.
“Bashkë me mikun tim, kryeministrin e ardhshëm Ramush Haradinaj do t’i fitojmë zgjedhjet më 11 qershor me rezultatin më të thellë në historinë tonë. Ne, bashkë, do të jemi fillimi i ri për Kosovën. Fitorja jonë nuk është kundër askujt, përkundrazi, është fitore për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne jemi koalicion i fitores dhe vendimmarrjes dhe ndër vendimet e para që do të marrim bashkë me kolegët tanë është formimi i ushtrisë së Kosovës dhe integrimi në strukturat euro atlantike”, ka thënë Veseli.
Duke folur për platformën e re qeverisëse, Veseli tha se me fokus të veçantë ndaj prodhuesve dhe bizneseve vendore që janë rreth 60 mijë, shumë shpejt do të krijohen 60 mijë vende pune apo secili biznes do të mund ta punësonye nga një punëtor më shumë.
Kryetari i PDK-së ka ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e fitores së Fillimit të Ri, ndërsa i siguroi se do të jenë përkrah tyre gjatë katër viteve të mandatit qeverisës.
Nga ana e tij, Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se do të udhëheqë qeverinë e Kosovës gjithmonë në konsultë dhe debat të hapur me qytetarët dhe ekspertët e fushave përkatëse.
“Kryetari Veseli dhe unë i kemi lidhur fatet bashkë. Por fatet tona i kemi lidhur për fatin e qytetarëve tanë, për shtetin tonë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Unë e kam dhënë besën njëherë në luftë kir kemi qenë të gatshëm të vdesim për atdheun tonë. E kam dhënë besën edhe kur kam marrë mandatin për kryeministër nga Presidenti Rugova sepse e kam konsideruar se është në interes të atdheut. Edhe në këtë koalicion unë e kam dhënë besën sepse vlerësoj se është në interes të atdheut. Unë i falënderoj kolegët e koalicionit për besimin e dhënë dhe ju sigoroj se të gjitha vendimet edhe në qeveri do ti marrim gjithmonë në konsultim me gjithë akterët e shoqërisë në fushat përkatëse qeverisëse”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se bashkimi në koalicion për fitoren e 11 qershorit do ti sjell vendit ardhmërinë dhe perspektivë të sigurt.
Haradinaj po ashtu tha se orientimi i zhvillimit ekonomik të Kosovës do të orientohet përmes stimulimit të prodhuesve vendorë dhe sipërmarrësve.
Fotot: Ekonomia Online