Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se Kosovës i duhet një konsensus për çështjen e demarkacionit.
Por, krahas demarkacionit që është kushti kryesor për liberalizimin e vizave, Kosova ka edhe një kusht – që është sundimi i ligjit.
Kreu i Kuvendit, pas një takimi me përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të Këshillit Prokurorial dhe ministrin e Drejtësisë në Kosovë, tha se krimi dhe korrupsioni janë kancer për Kosovën që po e pengojnë zhvillimin e vendit dhe integrimin drejt Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, ai kërkoi ndihmën e gjyqësorit në luftën kundër këtyre dukurive, raporton Ekonomia Online
Veseli tha se një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave është ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. “Demarkacioni është një nga kushtet kryesore për vizat. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera janë duke punuar shumë në këtë drejtim në mënyrë që ta kemi një zgjidhje”, tha Veseli.
Sipas Veselit, krimi dhe korrupsioni janë kancer për Kosovën. “Krahas demarkacionit që është kusht kryesor për liberalizimin e vizave, ne po ashtu kemi edhe një kusht që është sundimi i ligjit, si një çështje shumë me rëndësi pjesë e procesit për ta plotësuar si kriter me liberalizimin e vizave”.
“Lufta kundër korrupsionit nuk do të jetë vetëm një përpjekje për të arritur një standard, siç është liberalizimi i vizave, por do të jetë një përpjekje e vazhdueshme, në mënyrë që të rritet perspektiva e qytetarëve tanë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kanceri kryesor që tentojnë ta ndalin dhe sfidojnë zhvillimin progresiv të shoqërisë sonë”, theksoi kryeparlamentari.
“Kuvendi i Kosovës do ta ketë prioritet përmbushjen e të gjithë pakove ligjore që lidhen me procesin e integrimit evropian. Unë do ta inkurajoj Qeverinë që po bënë një punë të mirë. Do të vazhdojmë mbështetjen financiare dhe në të njëjtën kohë kadrovike për të gjitha gjykatat dhe prokuroritë”, shtoi Veseli.
Ai paralajmëroi se “vettingu” duhet të ndodhë në Kosovë, “në mënyrë që të gjithë ta dinë se kush po pasurohet me djersë dhe kush po pasurohet në kurriz te të tjerëve”.
Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se ky vit është vit i drejtësisë sepse janë plotësuar të gjitha kërkesat dhe nevojat e këtyre dy institucioneve. Ai tha se janë angazhuar 300 veta si prokurorë, gjyqtarë, si dhe staf ndihmës.
“Ky do të jetë vit i sundimit të ligjit, sepse për herë të parë Qeveria e Kosovës ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe nevojat për KPK-në dhe KGjK-në. Do të jenë rreth 300 zyrtarë të rinj që do të jenë të angazhuar, gjyqtarë, bashkëpunëtorë profesionalë, prokurorë dhe besoj se do të rritet efikasiteti i punës”.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, tha se janë zvogëluar lëndët që po presin për t’u zgjidhur. “Ne si KGjK kemi hartuar një plan të veprimit dhe i kemi dhënë prioritet lëndëve të natyrës korruptive, duke e ditur natyrën që kanë dhe dëmet që shkaktojnë”, deklaroi ai.
Ndërsa, kreu i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, tha se 85 për qind e akuzave që ngritën nga organi i akuzës aprovohen nga gjykata. “Është një numër shumë i vogël, 15 për qind (që nuk aprovohen”. Nëse krahasohemi me shtetet e rajonit, ne dalim prapë më mirë”, u shpreh Isufaj.
Veseli: Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugëtimin e saj euro-atlantik
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të Këshillit Prokurorial dhe ministrin e Drejtësisë në Kosovë, ndërsa në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së.
Në takim u fol për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, si në aspektin e brendshëm, veçanërisht në sektorin e drejtësisë, ashtu edhe procesin e integrimit euroatlantik.
Kreu i Kuvendit, Veseli, tha se prioritet nacional i Kosovës është integrimi euro-atlantik, ndërsa shtoi se vendi po bën përpjekje për ta arritur sa më parë liberalizimin e vizave.
“Përveç demarkacionit, që është një kusht kryesor për të siguruar lëvizjen e lirë dhe për të cilin pres një konsensus të gjerë, edhe sundimi i ligjit është një çështje e rëndësishme që tashmë është plotësuar si kriter, por që duhet të vazhdojë, sepse e forcon shtetin e Kosovës”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kreu i legjislativit e konsideroi inkurajues faktin që ka një dinamikë të shtuar për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çka ai përgëzoi Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Veseli inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë mbështetjen financiare dhe kadrovike për Gjykatat dhe Prokuroritë tona, ndërsa falënderoi edhe Bashkimin Evropian dhe SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim.
“Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të jetë përpjekje vetëm për të plotësuar një kriter ndërkombëtar, por një detyrim ndaj vendit dhe qytetarëve. Kuvendi i Kosovës ka trajtuar me prioritet të lartë çdo nisme ligjore që lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo qasje do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke shtuar se Kuvendi do të japë maksimumin që çdo projektligj i fushës së sundimit të ligjit, që vjen në Kuvend, të trajtohet me interes të shtuar.
Ai tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.