Kreu i PDK-së, Kadri Veseli pas takimit të kryetarëve të partive parlamentare, tha se Kosova duhet t’i forcojë raportet me ShBA-në dhe BE-në, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, Kushtetuta dhe ligjet janë të qarta se opozita nuk mundemi t’i japim mandat e as ta këshillojë Qeverinë për dialog me Serbinë.
“Duhet konsensus, duhet bashkëpunim por duhet më shumë punë. Kushtetuta dhe ligjet janë të qarta, ne si opozitë nuk mundemi t’i japim mandat e as ta këshillojmë për dialog”.
“Ne duhet t’i forcojmë raportet me BE dhe me SHBA dhe të sigurohemi se qytetarët nuk do t’i kenë problemet që i kanë pasur më herët”.
Veseli ka thënë se nuk e dinë a është momentalisht puna e taksës problem apo qëndrimet e ndryshme që i kanë partnerët e koalicionit.
“Nuk e di a është problem taksa, a është problem mungesa e kësaj qeverie me u ballafaquar nga qëndrimet që i kanë të ndara mes vete. Nuk është me rëndësi cili pozicion tani më është i partive opozitare për arsye se ne nuk marrim tani më vendim”.
“Ne mund të vlerësojmë por pushteti duhet të merr vendim të ec përpara në bazë të rrethanave të cilave i kemi të qarta, janë të kristalta qoftë nga BE, qoftë nga Amerika. Ne duhet vetëm bashkërisht me u futë në këtë drejtim që e vë Kosovën në pozicion më të mirë”, shtoi ai.
Limaj: Kosova të jetë e kujdesshme në raport me miqtë
Kurse kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se Kosova duhet të jetë e kujdesshme në raport me miqtë.
“Ishte takimi i parë. Më tepër ka qenë sesi grupet parlamentare duhet t’i kryejë punët e veta dhe ajo se çfarë thash është se ajo që po ndodh është ka ndodhur para dy ditësh”.
“Ka një përplasje institucionesh. Thjesht më tepër ka përplasje të egove të tyre sesa përplasje dhe shqetësim për interes të Kosovës. Kjo është një garë për protagonizmi dhe thirrja ime ishte që kjo mos të ndodh”.
“Kosova duhet të jetë e kujdesshme se interesi i Kosovës është anëtarësimi në Organizata Ndërkombëtare dhe BE. Lajmi i mirë për ne është se Amerika do ta kryesojë dialogun dhe kështu përmbushet një kërkesë e Kosovës që ShBA-ja të jetë në dialog”, tha Limaj.