Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka dërguar sot ftesat krerëve të partive opozitare për tu takuar së bashku të enjten në ora 11:00 në Kuvend për të diskutuar për harmonizimin e qëndrimeve për rezolutën për dialogun Kosovë-Serbi.
“Me anën e kësaj letre, dëshiroj t’ju ftoj Ju ose përfaqësuesin e partisë tuaj, në një takim gjithëpërfshirës në mënyrë që të dakordohemi dhe kështu të ndërtojmë një frymë bashkëpunimi për çështjen e dialogut. Kohezioni politik i brendshëm, është i domosdoshëm, për të mundësuar forcimin e pozicionit negociator të Kosovës si dhe për të përmbushur aspiratat që ne kemi për të zënë vendin që na takon në OKB, BE, NATO dhe forumet tjera ndërkombëtare”, thuhet në ftesën që kreu i Kuvendit u ka dërguar krerëve të partive opozitare.
“Me sa duket nga qëndrimet publike, të gjitha partitë parlamentare e mbështesin në parim procesin e dialogut, por kanë dallime në qasje duke ofruar propozime të ndryshme rreth rezolutës për procesin e dialogut. Prandaj kam vendosur që të ftoj të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare për të diskutuar e harmonizuar një rezolutë të përbashkët në Kuvend”, thuhet në ftesën e Veselit.
Takimi do të mbahet të enjten, më 11 tetor, ora 11:00, në Sallën C301 në Kuvendin e Kosovës.