Veseli fton liderët e partive të diskutojnë të hënën për dialogun

Prishtinë | 22 Kor 2018 | 14:45 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar udhëheqësit e partive politike parlamentare në Kosovë që të mbajnë takimin të hënën nga ora 10:00, me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.

“Me qëllim të arritjes së konsesusit nacional për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi, në mënyrë që në këtë proces të rëndësishëm të kemi një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, kam kënaqësinë që t’ju ftoj në një takim të përbashkët mes udhëheqësve të partive politike parlamentare”, thuhet në ftesën e kryetarit të kuvendit.

Sipas Veselit, spektri politik kosovar, të gjitha së bashku, pozitë dhe opozitë, duhet të jetë i konsoliduar, unik dhe i përgatitur.

“Dialogu Kosovë – Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, njohjen reciproke, si dhe të siguroj ulësen e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, vazhdon ftesa.

Në ftesë thuhet që Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ketë rolin kryesor të mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes në këtë proces të rëndësishëm.

“Bashkëngjitur, ju lutem, gjeni dokumentin kornizë për dialogun Kosovë – Serbi, si një bazë për ta diskutuar dhe plotësuar bashkërisht. Propozoj që takimi i parë të mbahet të hënën, më 23 korrik, në orën 10:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Salla C 301. Takimi do të jetë i mbyllur dhe secili subjekt politik mund të përfaqësohet në bazë të formatit 1+1”, përfundon ftesa.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme