Veseli: Kosova po ecën në drejtim të duhur

Prishtinë | 25 Mar 2017 | 12:04 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës ka filluar Konventën e 8-të Zgjedhore, e cila do të zgjatë dy ditë e në të cilën do të zgjedhë strukturat e reja drejtuese.

Me këtë rast para të pranishmëve kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet vend i shpresës për të gjithë.

Ai tha se para tyre mbesin sfida të mëdha, por që ka shprehur besimin e plotë se populli i Kosovës ka potencial të bollshëm për t’i tejkaluar ato, raporton Ekonomia Online.

Veseli po ashtu tha se Kosova është duke ecur në drejtimin e duhur.

“Kosova është dhe do të mbetet, një vend i shpresës për të gjithë. Shtet dhe shoqëri e mundësive të barabarta për qytetarët e saj. Para nesh ndodhen shumë sfida, të politikës së jashtme e të brendshme, por unë kam besim të plotë tek njerëzit e Kosovës. Kam besim të plotë në shtetin e Kosovës, në të ardhmen e tij të sigurt euro-atlantike”, tha Veseli.

“Të tjerët le të merren me dilema, por ne do ta bëjmë ushtrinë e Kosovës. Do ta bëjmë një ushtri moderne e profesionale, rojtare e sigurisë së atdheut tonë, kontribuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, anëtare dinjitoze e NATO-s, krenari e brezave që ëndërruan gjatë lirinë e Kosovës, krenari e brezave që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës”.

Ai u shpreh optimist se me besimin e palëkundur në forcën e popullit Kosova do t’ia del edhe sfidës së zhvillimit dhe fuqizimit të shtetit.

“Ne e çliruam Kosovën, sepse e donim lirinë më shumë se jetën tonë. Mijëra dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dëshmia e përjetshme e kësaj atdhedashurie të pashembullt. Ne do ta bëjmë Kosovën shtet të zhvilluar e të begatshëm, sepse ky është obligimi ynë ndaj qytetarëve të mrekullueshëm të kësaj toke të bekuar”, tha kryetari Veseli.

Në Konventë do të diskutohet edhe për zhvillimet e përgjithshme në vend e po ashtu do të nxirret edhe një Deklaratë Politike për to dhe për vizionin e PDK-së për të ardhmen në angazhimet politike dhe institucionale.

Tash e disa javë, kreu i kësaj partie, Kadri Veseli, që njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës ka filluar një turne dëgjimi me qytetarë në të cilin po flitet për gjendjen e përgjithshme në vend dhe idetë që qytetarët kanë për zgjidhjen e problemeve.

Fjalimi i kryetarit të PDK-së Kadri Veseli në Konventën e tetë

Veseli: Mund të ecim më shpejt

Të nderuar delegatë në këtë konventë të 8 të partisë Demokratike të Kosovës Të nderuar anëtarë të Kryesisë dhe këshillit drejtues të Partisë Demokratike. Të nderuar deputetë, ministra, zëvendësministra, kryetarë të komunave. Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës. Të nderuar miq. Zonja dhe zotërinj. Kosova është dhe do të mbetet, një vend i shpresës për të gjithë. Shtet dhe shoqëri e mundësive të barabarta për qytetarët e saj. Para nesh ndodhen shumë sfida, të politikës së jashtme e të brendshme, por unë kam besim të plotë tek njerëzit e Kosovës. Kam besim të plotë në shtetin e Kosovës, në të ardhmen e tij të sigurtë evro-atlantike. Populli ynë ka kaluar sfida edhe më të mëdha. Ka kaluar kohë edhe më të vështira në të kaluarën. Me besimin e palëkundur në forcën e popullit tonë, jam i bindur se do t’ia dalim edhe sfidës së zhvillimit dhe fuqizimit të shtetit. Gjithmonë duke punuar sëbashku, me përkushtim dhe atdhedashuri. Ne e çliruam Kosovën, sepse e donim lirinë më shumë se jetën tonë. Mijëra dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dëshmia e përjetshme e kësaj atdhedashurie të pashembullt. Ne do ta bëjmë Kosovën shtet të zhvilluar e të begatshëm, sepse ky është obligimi ynë ndaj qytetarëve të mrekullueshëm të kësaj toke të bekuar. Të nderuar miq Unë jam i bindur se Kosova po ecën në drejtimin e duhur. Mirëpo të gjithë jemi të vetëdijshëm që mund të ecim edhe më të shpejtë. Kosova ka rritje të qëndrueshme ekonomike. Më të lartën në rajon, mirëpo prapëseprapë, nuk jemi duke shfrytëzuar plotësisht potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë për të kapur nivelin e kërkuar. Ne mund të kemi zhvillim më të hovshëm ekonomik, më shumë fabrika e industri prodhuese, më shumë vende pune për të rinjët tanë, mirëqenie më të lartë sociale për të gjithë qytetarët. Është në dorën tonë t’i arrijmë këto qëllime. Nuk duhet të presim që dikush të na i rregulloj punët tona. Besoni, askush nuk do të vijë ta bëjë këtë. Ne kemi ëndërruar pavarësinë, pikërisht për të drejtuar vetë fatin tonë. Pse pra duhet të vonohemi sot? Të nderuar miq. Në vitet e fundit është harxhuar shumë kohë dhe energji në tensionin e brendshëm politik. Duke u ngatërruar në çështjet që trashëgojmë prej së kaluarës janë lënë pas dore nevojat e së tashmes dhe të ardhmes. Janë harruar prioritetet më të rëndësishme të qytetarëve tanë. Janë harruar problemet reale të jetës tyre. Prandaj në javët e fundit kam ndërmarrë turin e dëgjimit. Kam takuar e bashkëbiseduar me mijëra qytetarë. Anë e kënd Kosovës. Në fshatra dhe qytete. Në institucione publike dhe ndërmarrje private. Kam takuar njerëzit tanë punëtorë. Ata zgjohen pa zbardhur dita, dhe kthehen në shtëpi me natën, në kërkim të një jetë më të mirë për fëmijët dhe familjet e tyre. Ajo që kam parë kudo është fakti se debatet aktuale politike nuk reflektojnë brengat dhe nevojat reale të tyre. Nuk reflektojnë brengat e të rinjve tanë që duan shkollim më cilësor dhe vende pune, që nesër të mund të krijojnë familjet e tyre dhe të kenë një shtëpi. Nuk reflektojnë brengat e fermerëve që prodhimin e tyre me vështirësi e plasojnë në treg. Kam dëgjuar sipërmarrësit tanë të zellshëm që kërkojnë mbështetje institucionale për të rritur kapacitetet e tyre bisnesore dhe eksportuese. Kam dëgjuar mjekët që kërkojnë një sistem më efikas shëndetësor, në mënyrë që qytetarët tanë të mos harxhojnë miliona jashtë vendit për shërbime shëndetësore. Kam biseduar me shumë e shumë gra që ballafaqohen përditë me barrierat e diskriminimit gjinor në punë dhe shoqëri. Kam dëgjuar zëmrimin e njerëzve të thjeshtë me korrupsionin administrativ. Kam parë hendekun e thellë mes asaj çka duan qytetarët dhe asaj çfarë bëjnë politikanët në debatet shterpe në ulëset e Kuvendit, në qeveri apo studiot televizive. Jam sot këtu, që sëbashku me ju, të zotohemi për ta mbyllur këtë hendek. Për ta ringritur shpirtin e demokracisë që përfaqëson qytetarin dhe jo interesat klienteliste, të cilat degradojnë në abuzim dhe korrupsion. Jam sot këtu, për të garantuar, sëbashku me të gjithë ju, se në ditët e ardhshme, Partia Demokratike e Kosovës, partia më besimin më të madh të qytetarëve, do të marrë përgjegjësinë që politikën ta kthejmë në shërbim të qytetarëve. Sepse, Politika është për qytetarët e jo qytetarët për politikën. Ky është besimi i Partisë Demokratike Kosovës. Ky është parimi fundamental i platformës dhe veprimit tonë politik e institucional. Është shpirti që ka themeluar dhe mbanë gjallë partinë tonë, anëtarësinë tonë të madhe, simpatizantë tanë gjithandej vendit. Të nderuar miq Shteti i Kosovës ka lindur nga sakrifica e të gjithëve dhe do të jetë në shërbim të të gjithëve. Pa dallim rajoni, identiteti apo përkatësie etnike, fetare dhe gjinore. Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka identitetin e tij të fuqishëm politik dhe ne, Partia Demokratike e Kosovës, garantojmë pacenueshmërinë e tij. Me vizionin tonë, me guximin tonë, me përkushtimin tonë atdhetar. Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, nuk është i përkohshëm, sikurse pretendojnë disa, brenda dhe jashtë. Shteti i Kosovës është vepra më madhëshore e popullit tonë, që do të jetojë përgjithmonë në hartën gjeopolitike të botës. Ky është besimi i Partisë i Demokratike të Kosovës dhe ne kurrë nuk do të bëjmë kompromis me këtë besim. Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka integritetin e tij të paprekshëm kushtetues e territorial dhe Ne, Partia Demokratike e Kosovës, garantojmë, se për asnjë moment, nuk do të ketë kthim prapa nga rruga e integrimeve evro-atlantike. Nuk ka barrierë qa na pengon, nuk ka forcë që e ndalon ëndrrën tonë evropiane. Janë njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës, ata që kanë meritat më të mëdha për partneritetin e vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës , Bashkimin Evropian dhe gjithë botën demokratike. Me vizionin tonë, me besimin e marrë nga qytetarët e Kosovës, ne garantojmë thellimin dhe fuqizimin e këtij partneriteti. Aleanca me Perëndimin, e lindur në ditët e rënda të luftës çlirimtare, është vlerë e pacenueshmë kombëtare. Të tjerët le të merren me dilema, NE do ta bëjmë Ushtrinë e Kosovës. Do ta bëjmë: – një ushtri moderne e profesionale, – rojtare e sigurisë së atdheut tonë, – kontribuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, – anëtare dinjitoze e NATO-s, – krenari e brezave që ëndërruan gjatë lirinë e Kosovës, – krenari e brezave që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës. Të nderuar miq Zonja dhe zotërinj Identiteti i Partisë Demokratike të Kosovës është: – lidershipi i vendosur, – guximi për t’u ndeshur me sfidat, – forca për të udhëhequr me ndryshimin. Prandaj koha ëshë për ne, për Partinë Demokratike Kosovës, për Fillimin e Ri. Ne gjithmonë u kemi shkuar deri në fund qëllimeve tona, prandaj nuk do të ndalemi kurrë, – që të kemi ekonomi të zhvilluar, – vende pune për rininë tonë të mrekullueshme, – shtet të fuqishëm ligjor, – mirëqenie në çdo familje të Kosovës – dhe lumturi në fytyrat e fëmijëve tanë. Ne kurrë nuk do t’i lëmë të braktisur qytetarët e Kosovës. Ne kurrë nuk do ta lëmë në gjysëm të rrugës shtetin tonë të ri. Ne do të fitojmë, për të fituar Kosova.

NE JEMI PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS NE JEMI FILLIMI I RI

 

Të ngjashme