Data për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është caktuar më 22 gusht dhe të gjitha partitë politike duket se i janë përveshur punës për zgjedhjet e parakohshme. Kur të gjithë po prisnin lëvizjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’i nisur konsultimet me partitë rreth një mandatari të ri për kryeministër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kryetar i PDK-së, vendosi të thërrasë seancë për shpërndarjen e Kuvendit.
Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Veseli shuan çfarëdo mëdyshje lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve, duke thënë se institucioneve të Kosovës u duhet një legjitimitet i ri qytetar. Ai ka folur edhe për koalicionet e mundshme, si do të shkojë PDK-ja në këto zgjedhje dhe çfarë u premton qytetarëve. Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit për ta bërë Kosovën një vend të jetueshëm për të rinjtë që po largohen, është besimi i tij se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet dhe se ai është kryeministri i duhur për ta bërë këtë.
Ai thotë se këtë betejë e ka nisur në partinë e tij dhe do ta vazhdojë edhe për shtetin e Kosovës. Duke folur për raportet me aleatët, Veseli ka thënë se Kosovës i duhet një kryeministër, i cili është i respektuar dhe i mirëpritur në Uashington dhe në Bruksel. “Unë jam krenar për marrëdhëniet më Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Secili që mendon se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës janë servilizëm, nuk i kupton marrëdhëniet e thella që kemi mes veti. Në mënyrë që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për njerëzit tanë dhe shtetin tonë, Kosovës i duhet një Kryeministër që është i mirëpritur dhe i respektuar në Shtëpi të Bardhë dhe Bruksel.
Një kryeministër që do ti thellojë marrëdhëniet me aleatët dhe jo dikush që i dëmton ato. Nëse ne jemi në gjendje ta mbajmë këtë partnership dhe të kthehemi në dialog duke shtyrë përpara intersat strategjike të Kosovës dhe marrë njohjen e plotë të Kosovës, kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar një ekonomi të drejtë dhe të fuqishme në Kosovë”, tha Veseli. Ndërsa duke folur për nismën e tij për të luftuar korripsionin dhe nepotizmin, ai tha se këtë betejë të vështirë do ta folitoj ashtu siç është fituar lufta ndaj Serbisë. “Kjo do të thotë se zyrtarët me aktakuzë nuk do të jenë pjesë e qeverisë time.
Qeveria ime e ardhshme do ta rrisë buxhetin për policinë dhe sistemin e drejtësisë për të ndalë korrupsionin, përfshirë edhe në këto institucione. Qeverinë që do ta udhëheqi unë, do të përfshijë vetëm njerëz bazuar në dije, kualitet dhe merita dhe jo në baza të nepotizmit dhe lidhjeve partiake”, ka thënë lideri i PDK-së Kadri Veseli.