Koalicioni qeverisës nuk i ka votat për ta ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e ka pranuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Me gjithë faktin se vlerëson që miratimi i demarkacionit është në interesin shtetëror të Kosovës, Veseli e pranon se ka gjasa që kjo çështje të mbetet pezull, ndërsa e lë të hapur mundësinë që rrugëdalja të kërkohet edhe nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme, me kushtin që për një gjë të tillë të ketë një marrëveshje politike mes partive kryesore parlamentare.
“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, ka thënë Veseli në një intervistë për “Kohën Ditore”, në të cilën ka folur edhe në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në intervistë, Veseli flet edhe për arsyet e ngecjet e perceptuara në punën parlamentare. Kritikon ekzekutivin.
Në intervistë, Veseli ka folur edhe për ndryshimet që duhet të ndodhin në Qeverinë e Kosovës, efektin që do të mund ta ketë funksionalizimi i Gjykatës Speciale, pasojat në parti të skandalit me përgjimet, ndërsa ka dhënë edhe këndvështrimin e tij për polemikën e nxitur nga vizita e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Beograd.