Veseli në FSK, Kosova para një vendimi historik për Ushtrinë

Prishtinë | 08 Mar 2017 | 08:43 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka vizituar sot kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo vizitë e tij ka ardhur menjëherë pas dorëzimit të presidentit Thaçi në Kuvend Projektligjin për ushtrinë e Kosovës.

Gjatë vizitës që u ka bërë kadetëve të FSK-së, ka thënë se transformimi i kësaj të fundit në ushtri nuk do të shkojë më larg se javën e ardhshme, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, sot ky projektligj sipas kryetarit Veseli do të dërgohet edhe në Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që edhe prej këtyre të merret mendimi, e pastaj të vazhdohet me procedurat e Kuvendit.

“Për mua procedurat e transformimit të FSK-së, nëse është vendim politik nuk duhet të shkojnë më larg se javën tjetër. Javën  e ardhshme është vullneti politik që ta bëjmë këtë, ne do ti kryejmë të gjitha procedurat. Unë sot do ta dorëzoj projektligjin edhe në  Qeveri. Mund të them që ky është një nga projektligjit me unanimitet më të madh dhe besoj se do të merr votat më të shumta prej të gjitha projektligjeve që kanë marrë deri më tani nga deputetët”, ka pohuar ai.

Kjo përgjigje e Veselit ka ardhur pas pyetjes që kadeti Bardhyl Dugolli, ishte i interesuar të dijë më shumë se sa do të zgjas integrimi i FSK-së në ushtri dhe kur pritet të ndodhë kjo.

“Sipas këtij projektligji sa do të zgjas integrimi i FSK-së në ushtri”, ka pyetur ai

E, kryetari Veseli duke folur për këtë ka treguar edhe arsyen e vizitës duke thënë se ka zgjedhur të bashkëbisedojë me kadetët pikërisht sot për shkak që vendi është para një vendimi të rëndësishëm siç ka thënë për transfromimin e FSK-së.

“Sot kam zgjedhur që këtë ditë të veçantë ta ndaj me ju. Ju keni krijuar mundësinë që Kosova të jetë para një vendimi historik. Siç e dini presidenti dje ka marrë një vendim i cili është në interesin e vendit tonë, i cili ka qëllim tërësisht paqësor, qëllim që të kemi fqinjësi të mirë, ka një qëllim që është i shenjtë e që është mbrojtja e vendit tonë”, ka thënë kryetari Veseli.

Sipas tij Kosova është një nga partnerët më të qëndrueshëm, në luftën kundër terrorizmit, dhe se FSK e ka përmbushur misionin e saj për transformim që nga viti 2013.

“Që nga viti 2013 FSK e ka përmbushur misionin e saj për këtë vendim. Më vjen keq ta them këtë por politika nuk ka arritur ta ndërtojë këtë konsensus. Politika nuk duhet ta dëmtojë interesin e qytetarëve”, ka pohuar Veseli.

Veseli ka shtuar se transformimi e FSK-së, do të kalojë në të gjitha proceset

“Do të ketë transformim i cili do të përshkohet me të gjitha vendimet përcjellëse, me të gjitha ato që kanë të bëjnë me një vend të pavarur dhe sovran të plotë. Do të thotë do të kemi transformimin e tërësishëm të misionit dhe qëllimit tuaj i cili është shërbimi ndaj atdheut, paqen. Nuk jemi duke e cenuar askënd, asnjëherë nuk do ta cenojmë askënd përkundrazi jemi për fqinjësi të mirë dhe presim mirëkuptim nga e gjithë bota demokratike”, ka thënë ai.

Veseli: Duhet guxim dhe vendosmëri të merren vendime në shërbim të atdheut

Ndërsa duke iu drejtuar kadetëve se sa janë të kënaqur me kushtet dhe se cilat janë ato gjëra që duhet këta t’i ndryshojnë si vendim marrje politike në mënyrë që kadetët të kenë përkrahjen e institucioneve.

E, dy nga kadetët kishin përgjigje dhe komente të ndryshme.

Glevis Elezaj, tha se janë të kënaqur me kushtet që iu ofrohen në këtë qendër.

“Kushtet që janë këtu prej FSK-së dhe prej institucioneve kanë qenë shumë të mjaftueshme për të zhvilluar të gjitha aktivitetet tona, ka mjaftuar që vullneti i pjesëtarëve të FSK-së me qenë i madh dhe me ato kushte sado pak kemi arrit edhe si akademi me i përmbush qëllimet që i kemi pasur, çka unë mendoj personalisht që ka ndikuar negativisht në procesin e FSK-së, ka qenë vonimi në transformim ku ka mbetur numri konstant i pjesëtarëve në FSK që ka ndikuar në një rritje të vjetërsisë të ushtarëve , kjo mendoj që ka ndikuar negativisht”, ka thënë ai.

Ndërsa kadeti, Dritëro Bajrami kërkoi që të ketë shkëmbime mes kadetëve të akademive të ndryshme nga vende të tjera.

“Mendoj se ngritja e pjesëmarrjes së kadetëve në trajnime jashtë vendit do të thotë që jo vetëm shtete fqinje por edhe shtetet tjera më gjerë do të ishte përparësi që do të na kishte ndihmuar neve më shumë me i fituar edhe eksperiencat e kadetëve të tjerë edhe kishim mundur me përmirësuar funksionin si kadetë këtu në FSK. Do të kishte qenë edhe më mirë sikur të kishte pasur programe të shkëmbimit të kadetëve midis akademive të ndryshme”, ka thënë ai.

E Veseli, duke iu përgjigjur këtyre kadetëve ka thënë se kjo vendimmarrje ka të bëjë tërësisht me përgjegjësinë e cila iu ka dashur vendit dhe asnjëherë nuk është lehtë të merren vendime në shërbim të interesit të atdheut sepse duhet guxim dhe vendosmëri.

 

Të ngjashme