Veseli: Nuk do të ndalem deri në themelimin e Tribunalit për dënimin e krimeve serbe të kryera në Kosovë

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar masakrën që ka ndodhur në vitin 1999 në “Lagjen e Trimave”, në Prizren.

Veseli ka thënë se nuk do ta ndal angazhimin e tij për të themeluar tribunalin për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“26 Maji i vitit 1999, u kthye në tragjedi për popullin tonë në ‘Lagjen e Trimave’ të Prizrenit. Forcat serbe vranë e masakruan 27 civilë shqiptarë të cilët kishin vendosur të mos largohen nga shtëpitë e tyre kur mijëra të tjerë po dëboheshin drejt Shqipërisë.

Vrasja e tyre 21 vite më parë ishte hakmarrje e egër e forcave serbe ndaj kësaj lagje dhe fshatrave të Vërrinit e Opojës të cilët ishin baza të UÇK-së gjatë luftës çlirimtare kundër Serbisë. Djemtë dhe vajzat e kësaj lagje ishin luftëtarët më të mirë e trima të UÇK-së”, ka shkruar Veseli në Facebook, transmeton Telegrafi.

Kreu i PDK-së, ka pohuar se të gjithë kriminelët serb duhet vënë para drejtësisë.

“Unë nuk do të ndalem në angazhimin tim për të themeluar Tribunalin për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne nuk duhet të pushojmë së punuari për të vënë para drejtësisë të gjithë kriminelët serb që masakruan qytetarët tanë të pafajshëm”.

Të ngjashme