Veseli: Papunësia e grave në Kosovë si në Afrikë

Prishtinë | 24 Nën 2016 | 11:15 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nuk do të ketë shoqëri të shëndosh dhe të arsimuar, përderisa ekziston një nivel i lartë i papunësisë tek gjinia femërore.

Kështu tha kryetari i Kuvendit të Kadri Veseli, në tryezën me temën “Raporti mbi koston e shërbimeve cilësore të edukimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë”.

I pari i Kuvendit, tha se duhet një angazhim i përbashkët në mënyrë që të rritet cilësia e arsimimit tek fëmijët tanë, duke potencuar se Kosovës i duhen edhe shumë çerdhe publike në nivel vendi, të cilat do të ndikonin në krijimin e mundësive për zhdukjen e grupeve të margjinalizuara, që në këtë rast janë nënat e papunësuara, e të cilat përbëjnë gjysmën e shoqërisë.

Ai bëri një krahasim të papunësisë së gjinisë femërore në Kosovë me atë Lindjes së mesme dhe të Afrikës së Veriut, duke thënë se në këtë pikë vendi ynë qëndron edhe më keq, raporton Ekonomia Online.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka vlerësuar se, përkrahja e një studimi të tillë nga ana e Kuvendit të Kosovës, është një tregues i përqendrimit të kryetarit të Kuvendit, por edhe gjithë aktorëve të tjerë, në avancimin e të drejtave të njeriut.

Ministri Bajrami tha se, çështja e gjithë-përfshirjes në arsimin para-fillor dhe fillor është një dimension shumë i rëndësishëm i respektimit të të drejtave të njeriut.

“Gjithë-përfshirja dhe investimi në fëmijërinë e hershme është suksesi i gjithë sistemit arsimor, si dhe hallka e parë e ndërtimit të një sistemi cilësor të arsimit. Jemi shumë të kënaqur me këtë studim, sepse është një tregues i vërtetë i gjendjes reale, ndërsa nuk është edhe aq i kënaqshëm niveli i përfshirjes së fëmijëve, duke qenë se është jashtë standardeve evropiane”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami u zotua se, MAShT është duke punuar për të rritur gjithë-përfshirjen e fëmijëve në arsimin para-fillor, për të rritur numrin e kopshteve publike dhe private, rritjen e fondeve dhe rritjen e standardeve në kopshte.

Ministri Bajrami bëri të ditur se MAShT në bashkëpunim me Projektin IPA ka aprovuar mjetet për ndërtimin e rreth 20 kopshteve publike në vitin e ardhshëm, si dhe ka punuar në caktimin e saktë të Kurrikulës për moshat 3-6 vjeç.

Ndërsa, përfaqësuesi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, tha se vizioni i UNICEF-it  është që të sigurohet se, të gjithë fëmijët e Kosovës janë fizikisht të shëndetshëm, mentalisht dhe emocionalisht të sigurt dhe të gatshëm për të mësuar. Ai tha se, investimi në edukimin e hershëm është mundësi unike për t’i përgatitur fëmijët që të jenë anëtarë produktiv të shoqërisë.

 

Të ngjashme