Veseli: PDK-ja e ka transformuar qytetin e Shtimes

Shtime | 03 Tet 2017 | 20:01 | Nga

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se qeverisja e PDK-së në Shtime ka sjellë investime që e kanë transformuar këtë qytet.

Në një tubim elektoral në Shtëpinë e Kulturës atje, Veseli ka thënë se në katër vjetët e ardhshme do të ketë edhe më shumë investime, me fokus në zhvillimin ekonomik.

“Kryetari Naim Ismajli është një model i qeverisjes. Qytetarët e Shtimes kanë përjetuar ndryshime rrënjësore, por edhe më shumë ndryshime do të ndodhin në katër vitet e ardhshme në hapjen e vendeve të reja të punës, në zhvillimin e bizneseve”, ka thënë Veseli, përcjell EkonomiaOnline.

Kreu i PDK-së ka thënë se platforma e PDK-së është programi më i sigurt politik dhe ekonomik për vendin.

Ndërsa, kryetari Naim Ismajli ka thënë se ka kaluar shumë kohë në këtë qytet, duke ndërtuar rrugët, shkollat, duke folur me njerëzit dhe e di se shumë prej qytetarëve ndihen si ai, se Shtimja është një potencial që mund të shfrytëzohet vetëm me udhëheqje të duhur, të dedikuar dhe me talentin e të rinjve.

“Ne të gjithë duhet të jemi të mbushur me optimizëm për progresin tonë të tanishëm dhe prosperitetin e ardhshëm. Në vitet që lamë pas, ne vazhduam të demonstrojmë suksesin tonë në tërheqjen e investimeve”, ka thënë ai.

Ismajli ka thënë se më 22 tetor 2017, bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës do të fitojnë edhe qytetarët e Shtimes.

 

Displaying 4.JPG

Displaying 6.JPG

Të ngjashme