Veseli për ruajte të raporteve me ShBA-në, taksa të pezullohet me kushte për 120 ditë

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherësh Kryetar i PDK-së, ka deklaruar se taksa 100 % e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk do të hiqet, por ajo mund të pezullohet përkohësisht dhe me kushte, si mirëbesim ndaj SHBA-ve dhe BE-së për disa arsye.

“Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, ka thënë Veseli.

Këto komente, Veseli i ka bërë në një deklaratë të publikuar në profilin e tij në Facebook, në të cilin po ashtu ka treguar për një takim që ka pasur sot me Ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kosnett.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se interesat amerikane në Kosovë janë edhe interesa të Kosovës dhe po ashtu interesat e Kosovës janë edhe interesa të SHBA-ve, ndërsa ka shtuar se ky është një fakt i pamohueshëm dhe kështu do të mbetet gjithmonë.

“Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, ka shkruar Veseli.

Kjo është deklarata e plotë e Kryeparlamentarit Kadri Veseli:

https://www.facebook.com/214842955357585/posts/1180502675458270/
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme