Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e katër organizatave e shoqërisë civile, të licencuara për të bërë verifikimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Organizatën Qendrën për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Medika Kosova, Medika Gjakova dhe Qendrën për Promovimin e Gruas në Drenas.
Veseli u informua rreth procesit të verifikimit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa u falënderua për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për këtë kategori, në aspektin legjislativ dhe atë financiar.
Kryeparlamentari Veseli ka falënderuar përfaqësueset e këtyre organizatave për punën e tyre të bërë deri më tash. Ai ka premtuar se gjatë këtij viti, përballë Kuvendit të Republikës Kosovës do të ngritët një memorial për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Në këtë takim, është diskutuar edhe mundësia që kjo kategori të përfitojë shërbime shëndetësore falas. Veseli, po ashtu, ka premtuar se do të trajtohen me prioritet problemet e shfaqura në zbatim të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.