Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me kryetarin aktual dhe kandidatin e Rahovecit në zgjedhjet e 22 tetorit, Idriz Vehapi, kanë vizituar sot bodrumin “Kosova Wine”, dhe Bodrumin e Vjetër “Haxhijaha”, në Rahovec.
Veseli u shpreh se platforma e PDK-së Forca e Ndryshimit do t’i shërbejë fuqizimit të mëtejmë të vreshtarëve dhe të gjithë ndërmarrësve të Rahovecit.
“I përgëzoj vreshtarët për punën e tyre të palodhshme dhe shembullin që po japin me prodhimet e tyre cilësore, duke përfshirë miliona litra verë dhe lloje të shumta verërash, të cilat po i eksportojnë edhe në shtetet e Bashkimit Evropian. Në mandatet e kaluara kemi arritur që ta dyfishojmë buxhetin për bujqësinë dhe nuk jemi kursyer në mbështetjen e vreshtarëve dhe fermerëve përmes granteve dhe subvencioneve”, ka thënë Veseli gjatë takimit me pronarët e bodrumeve “Kosova Wine” dhe “Haxhijaha”, përcjell EkonomiaOnline.
Kreu i PDK-së theksoi se Forca e Ndryshimit do të sigurojë fuqizimin e mëtejmë të Rahovecit, kampionit të vreshtarisë në vend.
Ai tha se ne katër vitet e ardhshme, të gjithë ata ndërmarrës dhe prodhues që kanë projekte konkrete për hapje të vendeve të reja të punë, toka e shtetit do tu jepet në shfrytëzim me zero euro.
Më 22 tetor, shtoi Veseli, fitorja e Idriz Vehapit, i cili do ta ketë përkrahjen e plotë të qeverisë qendrore, është garancë për suksese të reja të Komunës së Rahovecit.
Nga ana tjetër, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ritheksoi se platforma e tij qeverisëse për katër vjetët e ardhshëm është vazhdimi i mbështetjes së fuqishme të vreshtarëve dhe fermerëve.
“Edhe në mandatin e ardhshëm do të jem në shërbim të plotë të vreshtarëve dhe fermerëve, që ata të rrisin kapacitetet prodhuese e që do t’i kontribuojë zhvillimit të mëtutjeshëm dhe mundësive të reja për punësim qytetarëve të Rahovecit”, ka thënë Vehapi.