Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka komentuar debatet e fundit për përfaqësimin e Kosovës dhe Shqipërisë dhe për polemikat e shumta të shkaktuara pas vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi.
Kryeparlamentari Veseli ka bërë thirrje për unitet mes shqiptarëve e jo për debate pa temë, siç ka vlerësuar ai. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryeparlamentari Veseli ka theksuar se është në interesin e Kosovës që Shqipëria të flas dhe përçojë zërin e Kosovës aty ku ne nuk arrijmë të kemi përfaqësim institucional.
“Sot, si kurrë më parë, me Shqipërinë duhet të kemi debat për marrëdhëniet ekonomike, e jo debat simbolesh. Është koha për ekonomi, jo për histori e romantizëm”, ka shkruar Veseli.
Postimi i plotë i Veselit:
“Sot në Shqipëri është datë e shënuar. Në këtë datë, shteti shqiptar nderon kujtimin e Nënë Terezës, bijës sonë të madhe, humanistes më të madhe të njerëzimit në botën bashkëkohore.
Le të na shërbej ky moment që të gjithë shqiptarët kudo që jemi të ndihemi edhe më afër njëri-tjetrit. Raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raporte vëllazërore. Janë shembull se si duhet të ndërtohen raportet mes shteteve dhe popujve në të gjithë rajonin tonë.
Zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve në mes Shqipërisë dhe Serbisë është një vlerë më shumë në rrugën rajonale të integrimeve euro-atlantike. Kosova nuk humbet asgjë nga ky zhvillim. Përkundrazi, përfiton edhe më shumë, ngase po ndërtohet një klimë e përgjithshme e komunikimit dhe dialogut rajonal.
Është në interesin e Kosovës që Shqipëria të flas dhe përçoj zërin e Kosovës kudo ku ne ende nuk arrijmë të kemi përfaqësim institucional. Sot, si kurrë më parë, me Shqipërinë duhet të kemi debat për marrëdhëniet ekonomike, e jo debat simbolesh. Është koha për ekonomi, jo për histori e romantizëm. K.V”