Veseli: Të rinjtë dhe gratë po shtohen çdoherë e më shumë në PDK

Prishtinë | 31 Gus 2019 | 20:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka mar pjesë të shtunën në piknik me qindra të rinj e të reja të Partisë Demokratike në Komunën e Klinës, tek vendi i quajtur Guri i Zi.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, tha me këtë rast se PDK po rritet çdo ditë e më shumë me anëtarësimin e të rinjve dhe grave anekënd vendit.

“Vizioni ynë për shtetin është i duhuri dhe besimi i gjithë qytetarëve është përgjegjësi për ne”, tha Veseli.

Nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook, Veseli ka shkruar se së bashku me rininë dhe gratë do të krijojnë mundësi të reja, që ata ta ndërtojnë një jetë më të mirë në Kosovë.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Sot mora pjesë në një piknik tek Guri i Zi, me pjesëtarë të të gjitha strukturave të degës së PDK-së në Klinë. Më gëzoi veçanërisht prania e shumtë e të rinjve dhe grave të cilët po shtohen çdoherë e më shumë në partinë tonë. Vizioni ynë për shtetin është i duhuri dhe besimi i gjithë qytetarëve është përgjegjësi për ne.

Të gjithë pjesëmarrësve u shpreha mirënjohje për mbështetjen që më kanë dhënë në luftën kundër korrupsionit dhe në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin. Ne, së bashku, mund ta zhvillojmë ekonominë dhe mund ta rrisim mirëqenien e qytetarëve, duke i shfrytëzuar burimet natyrore dhe njerëzore që i kemi. Së bashku do të krijojmë mundësi të reja për të rinjtë tanë, që ata ta ndërtojnë një jetë më të mirë në Kosovë.

Të ngjashme