Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vazhduar turin e tij të dëgjimit me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës së ekonomisë për të bashkëbiseduar për zhvillimin ekonomik dhe punësimin.
Gjatë bashkëbisedimit në Kolegjin “Iliria” Veseli tha se bizneset po përballen me konkurrencë dhe vështirësi të mëdha. Ai shtoi se sistemi edukativ është ai cili po lufton të krijoj kuadro të kualifikuar për tregun e punës, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se gjatë turit të tij të bashkëbisedimit ka dëgjuar shumë pakënaqësi nga ana e qytetarëve të Kosovës.
“Kam zgjedhur këtë mënyrë të komunikimit që të kuptojmë se si mund të përmirësojmë sistemin edukativ, shëndetësor por edhe përmirësimin e biznesit dhe ekonomisë në Kosovë”, ka thënë Veseli duke u kërkuar ide dhe alternativa për të zgjedhur të gjithë këtë pakënaqësi të qytetarëve të Kosovës.
Arian Zeka kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka thënë se në fushën e ekonomisë duhet të kontribuohet edhe më shumë duke përkrahur prodhimtarinë.
“Në vendin tonë mosfunksionalizimi i tregut të lirë ka pasuar që Autoriteti i Konkurrencës nuk ka pasur një komision të kompletuar që mund t’i kontrolloi edhe shkeljet në ekonominë tonë. Ekonomia në vendin tonë ka 85% që janë mikrondërmarrje e që kjo e bënë të pamundur zhvillimin e ekonomisë në Kosovë. Presioni konkurrues nga BE-ja do të shënojë rritje nga viti në vit”, ka thënë ai.
“Ajo që ne kemi marrë parasysh para MSA-së është se ne duhet të mbështesim aspektin e prodhimtarisë në mënyrë që të kemi më të lehtë procesin e kësaj marrëveshje e cila është si e para me BE-në”, ka thënë Zeka.
Ai gjithashtu tha se kompanitë të cilat po vijnë në Kosovë për të kontribuar dhe punësuar të rinjtë s’po mund të gjejnë punëtorë, sepse siç tha ai, “të gjithë janë të interesuar që të punojnë në institucione publike. Interesimi i audiencës duhet të jetë kah sektori privat”.
Ermal Gashi, përfaqësues i kompanisë së IT-së, “Cactus”, ka thënë se Kosova duhet të ofrojë produkte të mira, të cilat shtetet evropiane dhe ShBA-ja të besojnë që Kosova është e gatshme të konkurrojë edhe me firma të cilat janë të njohura botërisht.
Ai gjithashtu ka thënë se sektori i IT-së duhet të jetë primar, i cili duhet të zhvillohet pasi që siguria shtetërore dhe e ardhmja e ekonomisë së Kosovës është në këtë sektor.
Në anën tjetër Wilhelm Hicking, ekspert i ekonomisë nga Gjermania, tregoi se ndërmarrjet të cilat nuk mund të zhvillohen deri në pikën të cilën kanë planifikuar ato i ndihmon shteti i Gjermanisë dhe merr përsipër që një ndërmarrje, biznes ta dërgojë përpara, sepse sipas tij, një biznes i suksesshëm sjell edhe zhvillim ekonomik për shtetin.