Veseli: Zgjedhjet e ardhshme si bifurkacioni i Nerodimes – ndarje mes Lindjes e Perëndimit

Prishtinë | 25 Gus 2019 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka thënë sot se zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë simbolikisht do të jenë një lloj bifurkacioni i orientimit ideologjik për qytetarët e Kosovës.

“Ata duhet të zgjedhin nëse Kosova do të vazhdojë konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, duke përqafuar vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë apo të devijojë drejt degëzimit që rrezikon të na çojë drejt ideve të prapambetura dhe despotike që vijnë prej Lindjes”, ka thënë Veseli pas një vizite që ka pasur tek Bifurkacioni i lumit Nerodime i cili derdhet në dy dete.

Nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, Veseli ka thënë se ai qëndron në krahun që shkon drejt Perëndimit, sepse siç thotë Veseli, ky është orientimi gjeopolitik që na e kanë lënë amanet rilindësit tanë. Statusi i plotë i Kadri Veselit: Bifurkacioni i lumit Nerodime është trashëgimi e veçantë natyrore, sepse përbën një dukuri të rrallë gjeografike të derdhjes së një lumi në dy dete.

Njëri degëzim derdhet në lumin Sitnicë dhe vazhdon drejt lumit Ibër, Moravë dhe përmes Danubit arrin në Detin e Zi në Lindje. Kurse, degëzimi tjetër përmes lumit Lepenc e Vardar derdhet në Detin Egje. Në këtë udhëkryq unë qëndroj në krahun që shkon drejt Perëndimit, sepse ky është orientimi gjeopolitik që na e kanë lënë amanet rilindësit tanë.

Kosova e ka arritur lirinë dhe pavarësinë e saj, duke pasur përkrahjen e SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë. Prandaj, jam i sigurt se vetëm me ta në krah mund t’i përballojmë edhe sfidat që na presin. Zgjedhjet e reja simbolikisht do të jenë një lloj bifurkacioni i orientimit ideologjik për qytetarët tanë.

Ata duhet të zgjedhin nëse Kosova do të vazhdojë konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, duke përqafuar vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë apo të devijojë drejt degëzimit që rrezikon të na çojë drejt ideve të prapambetura dhe despotike që vijnë prej Lindjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme