Instituti Riinvest ka organizuar tryezën ‘’Ndërmarrësia e Grave’’, ku është bërë prezantimi i raportit si dhe gjetjet e anketës me mbi 300 gra ndërrmarrëse, i pari i këtyre përmasave në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Drejtori Ekzekutiv i “Riinvestit”’, Alban Hasani tha se vetëm 10% e grave në Kosovë bëjnë pjesë në biznes.
“Pjesëmarrja e grave në pronësi nuk është në proporcion me numrin e grave që është në Kosovë. Kjo çdo kund është shqetësuese, por në Kosovë është shumë e theksuar. Bizneset në pronësi të grave i kushtojnë rëndësi kapitalit njerëzor”, deklaron Hasani.
Në anën tjetër, Lendita Kastrati nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës- G7, tha se ambienti i grave për të bërit biznes vazhdon të jetë shumë i vështirë.
“Kostoja e financimit për gra mbetet ende një sfidë shumë e madhe përderisa kemi më pak se 10% të grave që marrin kredi në bankat komerciale. Kemi shumë pak rritje të bizneseve të grave, kemi një rritje shumë të vogël të grave të cilat angazhohen në bujqësi. Shumica e grave aty ku operojnë aty edhe shesin. S’kanë mundësi për të kaluar jashtë qytetit apo vendit se ku kanë biznesin e tyre. Mund të them se asnjëherë nuk është folur më shumë për ndërrmarësinë e gruas në Kosovë dhe tani gratë më pak paragjykohen në biznes”, ka thënë ajo teksa ka folur edhe për afirmimin e grave në Biznes.