Organizata GERMIN të martën ka mbajtur konferencën “Diaspora për Gratë Ndërmarrëse”, e cila kishte për qëllim ndarjen e storieve të suksesit, promovimin e kontributit të profesionistëve nga diaspora, dhe promovimin e punës së grave ndërmarrëse nga sektori i përpunimit të ushqimit, përpunimit të drurit dhe teknologjisë së informacionit e komunikimit, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se kjo konferencë ka për synim që të jetë e përvitshme dhe të kontribuojë në të bërit biznes nga gratë në Kosovë dhe arritjen e kontributit nga profesionistët e diasporës për në vendin e origjinës.
Gjithsej 43 gra Ndërmarrëse nga Kosova që nga prilli i vitit të kaluar janë bërë pjesë e projektit “Diaspora për Gratë Ndërmarrëse” të cilat janë mentoruar në grupe të ndara nga 20 mentor nga Diaspora.
Sihana Bejtullahu nga kjo organizatë, përmendi disa statistika të grave që udhëheqin biznes. Sipas saj, vetëm 23 mijë biznese janë nën udhëheqjen e grave.
“Konferenca si kjo, na fton të reflektojmë në sensin se çka është bërë deri më tani në fushën e përkrahjes së grave në përgjithësi si dhe atyre në ndërmarrësi në veçanti. Për t’u dalë në ndihmë atyre, shpesh ndërmerren iniciativa të ndryshme qoftë nga institucionet shtetërore apo organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të cilat përpiqen t’i inkurajojnë dhe mbështesin në synimet e tyre për të nisur një biznes. Por, pavarësisht mbështetjes, ende ekziston një dallim i madh ndërmjet numrit të bizneseve që drejtohen nga burrat dhe atyre që drejtohen nga gratë në Kosovë. Këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare, ku sipas platformës elektronike ‘Bizneset e Hapura’, vetëm 11 për qind e bizneseve aktive në Kosovë, ose mbi 23 mijë biznese udhëhiqen nga gratë”, tha ajo.
Me këtë rast, Bejtullahu ka kërkuar që diaspora të jetë e përfshirë në këtë rrugëtim, të cilën e quajti mjaft sfidues.
“Pavarësisht përpjekjeve dhe nismave të vazhdueshme për barazi dhe përfshirje të plotë, përfaqësimi i grave në sfera të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe ekonomik por edhe në proceset vendimmarrëse mbetet i ulet në Kosovë. Por në anën tjetër, ju ftoj të reflektojmë së bashku për rolin dhe rëndësinë e përfshirjes së diasporës në këtë rrugëtim”, tha tutje ajo.