Vetëm 13% e femrave janë të punësuara

Prishtinë | 09 Mar 2017 | 08:52 | Nga

Duke u bazuar në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) shihet se vetëm 13,1 për qind e femrave në moshë pune janë të punësuara, derisa në anën tjetër 44,9 për qind e meshkujve në moshë pune janë duke punuar

Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) janë shqetësuese për numrin e vogël të femrave të cilat janë të punësuara në vendin tonë.

Sipas të dhënave të publikuara shihet se nga e gjithë popullsia në moshë pune 29,2 për qind ishin të punësuar. “Shkalla e punësimit ishte më e lartë për meshkuj sesa për femra: 44,9 për qind të meshkujve në moshë pune ishin të punësuar duke i krahasuar me 13,1 për qind të femrave po ashtu në moshë pune. Duke i krahasuar me tremujorin e dytë të AFP-së 2016, në Kosovë kemi rritje të shkallës së punësimit me 1,3 për qind, ku kjo rritje te meshkujt ishte 2,0 për qind përderisa te femrat ishte vetëm 0,5 për qind”, thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Më tutje në raportin e ASK-së thuhet se shkalla e punësimit te femrat për grupmoshat 25-44 vjeç sillet nga 16,9 për qind, në grupmoshën 25-34 vjeç, ku ka rritje 1,2 për qind, në grupmoshën 35-44 vjeç (18,1 për qind).

Ndërsa femra të punësuara në grupmoshën e re (15-24 vjeç) janë vetëm 4,1 për qind derisa në grupmoshën e vjetër (55-64 vjeç) janë 10,1 për qind.

E në anën tjetër, tek meshkujt shkalla e punësimit ishte më e larta për grupmoshën 35 deri 54 vjeç (63,7 për qind), dhe më e ulët për të rinjtë 16,2 për qind.

Njohës të rrethanave ekonomike në vend thonë se numri i vogël i femrave të punësuara është tejet shqetësuese.

Ibrahim Rexhepi nga Aleanca Kosova e Re thotë se numri i femrave të punësuara në Kosovë është shumë i vogël padyshim. Por, sipas tij, papunësia është problem i përgjithshëm.

Mos të harrojmë se te gjenerata e re është 60%. Megjithatë, papunësia te femrat ka edhe një dimension tjetër. Ne ende jemi shoqëri konservative dhe ende përparësi në punësim i japim mashkullit. Kjo vërehet edhe në institucionet ku femrat janë në numër të madh, si në shëndetësi apo arsim. Edhe aty meshkujt janë shefa-menaxherë. Pra, ende nuk mund ta pranojmë barazinë gjinore, pos më 8 Mars. Edhe atë në formë deklarative. Pra, pse numri i femrave të punësuara është i vogël fajin e kanë meshkujt”, ka thënë Rexhepi. (Zëri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme