Është rritur numri i rasteve të faturimit të mbeturinave në shtëpi të pabanuara, që kur Komuna e Prishtinës ka marrë përsipër këtë shërbim. Kjo e fundit rekomandon qytetarët që këtë problem ta zgjidhin me Drejtorinë e Pronës. Ndërkohë, inkasimi ka arritur vetëm 40%, por ky numër mund të rritet, pasi komuna ka filluar kushtëzimet.
Një shtëpi të vjetër dhe një tjetër të re i ka në oborrin e tij, Agim Pacolli, ai thotë se ka pesë vjet që nuk e përdor shtëpinë e ndërtuar para gjysmë shekulli.
Megjithëkëtë, që nga janari i këtij viti – kur Komuna ka marrë përsipër faturimin e mbeturinave, atij i shkojnë faturat për të dy shtëpitë, raporton emisioni 038 në KTV.
Sipas Pacollit, në kohën kur këtë shërbim e kryente kompania “Pastrimi”, faturat i vinin vetëm për shtëpinë e re.
Ai thotë të ketë kërkuar nga komuna që ta bëjnë vlerësimin dhe mos t’i faturojnë borxh për shërbime në shtëpinë e pabanuar.
Në Komunën e Prishtinës thonë se rastet e tilla janë shtuar, për shkak se faturimi është bërë sipas listës së pronave.
Ndërsa, rekomandojnë qytetarët, që kanë këtë problem – të lajmërohen në Drejtorinë e Pronës, në mënyrë që komisioni të vërtetojë statusin e pronës së tyre.
Seniha Haxhiu-Bajraktari, Zyrtare në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, megjithëse nuk ka dhënë një shifër të saktë, sipas saj vetëm 40% të qytetarëve kanë paguar mbeturinat, deri në këtë fazë.
Por, kjo përqindje mund rritet, pasi, sipas saj, tashmë ka filluar kushtëzimi i regjistrimit të automjeteve me kryerjen e pagesës për mbeturinat.
Në rastet e mospagesës, Komuna e Prishtinës aplikon masa administrative ndaluese edhe për shërbimet që ofrohen nga 7 drejtori të saj.