Inspektorati i Arsimit brenda një viti ka arritur të vlerësojë performancën e vetëm 443 mësimdhënësve të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare të MASHT-it, në nivelin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë janë të angazhuar gjithsej 22.714 mësimdhënës.
Vlerësimi i performancës po realizohet me shumë vështirësi meqë në kuadër të Inspektoratit të Arsimit janë vetëm 20 inspektorë të angazhuar në kryerjen e këtij vlerësimi. Procesi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve (VPM) ka nisur më 4 tetor të vitit të kaluar. Udhëheqës të MASHT-it ishin zotuar se këtë vit do ta shtojnë numrin e inspektorëve, mirëpo deri tash kjo nuk është realizuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, ka thënë se në fazën e parë procesit të VPM-së u janë nënshtruar 216 mësimdhënës, ndërsa në fazën e dytë 227 mësimdhënës. Sipas tij, pas analizimit të të dhënave nga terreni do të përgatitet raporti për vitin e parë të këtij procesi (tetor 2018-tetor 2019).
“Bazuar në Ligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është njëri ndër 6 llojet e inspektimeve, si dhe është ngushtë i lidhur me procesin e licencimit dhe me atë të zhvillimit profesional të mësimdhënësve. Si i tillë ky proces është i vazhdueshëm. Deri në fund të vitit shkollor 2018/2019 (qershor 2019) këtij procesi iu kanë nënshtruar dhe janë vlerësuar 443 mësimdhënës”, ka theksuar Gashi.