Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit nuk sollën asgjë më shumë sesa një shumicë të thjeshtë në Kuvend prej 61 votash.
Deri te kjo erdhi pasi koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma (PAN) nuk mori vota të mjaftueshme sa për t’i themeluar vetë institucionet.
Kjo solli deri te një bllokadë tremujore, pasi PAN nisi të kërkonte deputetë nga partitë tjera. I duheshin 61 vota për ta votuar kandidatin për kryetar Kuvendi, Kadri Veseli, dhe për kabinetin qeveritar të Ramush Haradinajt.
Brenda një kohe shumë të shkurtë ndodhën disa lëvizje deputetësh, duke e zvogëluar kështu fuqinë e PAN-it në Kuvend.
Tash për tash ky koalicion ka vetëm shumicën e thjeshtë prej 61 votash.
Humbja e deputetëve të PAN-it ndodhi pasi lideri i AKR-së, Behgjet Pacoli, e cila është në koalicion me PAN-in, mori pozitën e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm.
Marrja e këtyre pozitave në Qeverinë Haradinaj ia humbi mandatin e deputetit. AKR ishte në koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe Alternativën me një përbërje të përzier të kandidatëve për deputet.
Duke e marrë për bazë këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e njeh si listë të përbashkët, pavarësisht se tash AKR-ja e ka prishur koalicionin me LDK-në dhe ka hyrë në koalicion me PDK-në.
Por humbja e mandatit të Pacollit si deputet, kjo shkoi në favor të LDK-së, pasi deputeti i saj, Imet
Rrahmani e fitoi mandatin. Sepse në listën e koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa ky ishte në radhë si deputet.
AKR-ja e humbi votën e dytë pas lidhjes së koalicionit me PAN, pasi deputeti i saj, Korab Sejdiu, tha se do të veprojë në Kuvend si deputet i pavarur.
Tash AKR-ja mbeti me vetëm dy deputetë nga katër sa i kishte në fillim.
Themelimi i institucioneve me vështirësi të mëdha, madje edhe me pazaret me Listën Serbe, krijoi pakënaqësi të mëdha brenda koalicionit PAN-AKR.
Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, që është pjesë e koalicionit PAN, është shprehur i gatshëm që t’i bashkohet opozitës për rrëzimin e Qeverisë.
Ai ka thënë se, nëse opozita arrin t’i sigurojë 60 vota, ai do ta ofrojë votën e tij për t’u bërë mjaftueshëm vota sa për ta rrëzuar qeverinë.
Në një llogaritje të thjeshtë, marrë parasysh këto rrethana, del se kundër koalicionit PAN-AKR janë 60 deputetë.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit Vetëvendosja fitoi 32 deputetë, duke u bërë partia më e madhe në vend.
Kurse LDK-Alternativa tash kanë 26 deputetë, përfshirë këtu edhe futjen e Imet Rrahmanit (LDK) në Kuvend.
Deputeti Korab Sejdiu doli nga koalicioni për shkak të pakënaqësive dhe mungesës së parimeve në ish-partinë e tij, AKR. Dhe nëse kjo mund të llogaritet si votë kundër qeverisë, atëherë shtohen deputetët kundër saj.
Gjithashtu, gatishmëria e deputetit të Nisëm, Zafir Berisha, për ta rrëzuar qeverinë, shton edhe më shumë gjasat për një gjë të tillë.
Në këto rrethana, opozita potencialisht i ka 60 vota. I duhet edhe një votë e ndonjërit prej deputetëve për ta siguruar shumicën e thjeshtë, e mjaftueshme për ta rrëzuar qeverinë me mocionin mosbesimi.