Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka paguar 87 mijë e 346 euro shpenzime shtesë për shkak të padive gjyqësore në disa raste të shpronësimeve të tokave.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtarë të Auditimit këto shpenzime shtesë kanë ardhur për shkak të pakënaqësive të pronarëve me kompensimin në rastin e shpronësimit të tokës ku edhe kanë ngritur padi.
“Pronarët kanë marrë pagesën e rregullt të shpronësimit, por si të pa kënaqur me çmimin, kanë ngre padi ndaj MMPH-së dhe kanë realizuar ndryshimin e çmimit përmes vendimeve gjyqësore. Për gjashtë rastet e testuara të këtyre pagesave në bazë të vendimeve të gjykatave, MMPH ka paguar 87,346€ shpenzime shtesë (për procedura të përmbarimit 9,779€, për kamatë 75,852€ dhe shpenzime tjera administrative 1,715€)”, thuhet në raportin e ZKA-së, transmeton Indeksonline.
Po ashtu, Departamenti i Shpronësimit nuk ka kompensuar disa prona komunale që prej vitesh përkundër aplikimit për kompensim.
Po ashtu, sipas paragrafi 7 të vendimit përfundimtar të Qeverisë ceket se Departamenti i Shpronësimit në kuadër të MMPH brenda dy viteve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi do të paguajë plotësisht shumën e kompensimit të shpronësimit, të përcaktuar në vendimin përkatës. Pronat komunale të shpronësuara obligimi i të cilave arrin vlerën prej 12 999 014 € nuk janë kompensuar prej vitesh përkundër aplikimit për kompensim”, thuhet për këtë çështje.
Auditori thekson se ekzekutimi i pagesave në bazë të vendimeve gjyqësore shkakton shpenzime shtesë për ministrinë dhe ndikon në prishjen e bilancit buxhetor si dhe rritë rrezikun që projektet e planifikuara të mos realizohen.
Në këtë raport bëhet e ditur se vlera e kompensimit të tokave të shpronësuar gjatë vitit 2017 është 28,644,476€.
“Të gjitha pagesat e kryera për shpronësim të tokave gjatë vitit 2017 në vlerë totale prej 28 644 476€. Këto pagesa janë regjistruar në kodin 31220 (ndërtimi i rrugëve regjionale) dhe në kodin 31210 (ndërtimi i autorrugëve), ndërsa kodi i saktë për regjistrimin e tyre është 32100-Toka Regjistrimi i shpenzimeve në kode joadekuate rritë rrezikun për mosparaqitje të drejtë të shpenzimeve, me efekt edhe në prezantimin jo të drejtë të shpenzimeve në PFV”, thuhet tutje në raport.