Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faton Klinaku, ka reaguar pas arrestimit të Pjetër Shalës, nga ana e Gjykatës Speciale.
Klinaku tha se kjo është dëshmi se kjo gjykatë është e jashtëligjshme.
Ai theksoi se nga kjo gjykatë cak mund të jetë secili ushtar i UÇK-së.
“Se Gjykata Speciale, ishte dhe është politike, është e jashtëligjshme dhe kundërkushtetuese, po e dëshmojnë edhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve në Hagë me ngritje të mocioneve lidhur me juridiksionin, shkeljen e ligjeve dhe skadimin e mandatit të saj. Nga një gjykatë e tillë, mund të jetë cak secili ushtar i UÇK-së”.
Pjetër Shala, u arrestua sot në Belgjikë nga një fletarrest i lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara ndaj Shalës është konfirmuar aktakuza për krime të luftës.