Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka konfirmuar se LDK nuk është sprapsur nga kërkesa për pozitën e presidentit, edhe pas takimit të sotëm, që po i lë edhe më tutje dy partitë pa arritur marrëveshjen.
Nga VV-ja pas këtij takimi iu kanë dërguar mesazh LDK-së një sondazh të kryer së fundmi që e nxjerrë me mbi 40% VV-në.
Përmes një shkrimi në Facebook, Besnik Bislimi ka thënë se para se të hynin në garën e gjashtë tetorit, e kishin pasur të qartë se nuk do të kishte një fitues me 51 deputetë, e se gara ishte e ngushtë.
“Para se të hynin në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, secili subjekt politik e ka patur të qartë prej fillimit se gara nuk do të prodhojë ndonjë fitues absolut që siguron shumicën prej 51 deputetësh. Njësoj siç e kanë ditur që gara do jetë tepër e ngushtë, mbase më e ngushta në historinë e shkurtër të demokracisë parlamentare në vend. E vetmja paqartësi ka mundur të ekzistojë rreth renditjes së subjekteve politike, sipas numrit të votave dhe fuqisë relative të secilës prej tyre. Në këtë garë të ngushtë, synimi i vetëm i subjekteve garuese ka qenë që të bëjë gjithçka të mundshme për të dalë qoftë edhe me 0.1% përpara të tjerave. Dhe për të arritur këtë synim, secili subjekt politik është fokusuar në tre elementë të ofertës elektorale: kandidatin për kryeministër, programin qeverisës dhe kualitetin e listës së deputetëve. Kjo nënkupton se secila parti politike e ka patur të qartë se kjo garë politike edhe pse ka qenë për kuvendin e Kosovës, në fakt fokusin primar e ka patur te implementimi i programit qeverisës që i bie tek ekzekutivi i vendit”, thotë ai.
Ai shton se diferenca në mes të subjekteve ka implikime edhe në formimin e institucioneve, por, radhitja e tyre, kushdo që del më i votuar, duhet të ketë qenë parësore.
“Në një mjedis të tillë, doemos që diferenca mes subjekteve pjesëmarrëse ka implikime në formimin e institucioneve, por radhitja e tyre (pa marrë parasysh diferencat) duket të ketë qenë parësore. Fituesi relativ është fitues, qoftë edhe nëse ka vetëm një votë më shumë. Dhe meqë e gjithë gara është sjellë rreth arritjes së pozitës së këtij fituesi relativ, është mëse e logjikshme, që ky status implikon pastaj konsekuenca me rëndësi në alokimin e fuqisë politike. Me vendimin e gjykatës kushtetuese të vitit 2014, është precizuar që benefiti i të qenurit fitues relativ, në radhë të parë manifetohet në dy pozita kyçe që i takojnë partisë fituese: pozita e kryeministrit dhe ajo e kryetarit të parlamentit”, shton tutje ai.
Nënkryetari i parë i VV-së, thotë se votuesit kishin qenë të qartë për subjektet që donin t’i përfaqësonin duke e shpallë fituese VVnë, me një diferencë 15 mijë vota me LDK-në.
Bislimi derisa ka përmendur progresin e bërë për të koordinuar programin qeverisës, ka konfirmuar se pozita e presidentit është pjesa ku nuk janë duke u pajtuar dy liderët.
“Për momentin, duket se negociatat kanë ngecur, për arsye se në tavolinë kanë dalë kërkesa pa mbulesë, por jam shumë optimist që edhe kjo do të tejkalohet me maturi, dhe vendi do të bëhet shumë shpejt me institucionet që i ka votuar dhe kërkuar”, shton tutje.
Në fund, ai iu ka përcjellë edhe një sondazh LDK-së, në rast se opsioni i zgjedhjeve vihet në tavolinë të diskutimit, ku thuhet se në rast se ndodh ky skenar, Vetëvendosje mund të dalë me mbi 40%.