VV me aksion te Burgu i Pejës kërkon lirimin e aktivistëve

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 13:54 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një aksion në afërsi të burgut të Pejës, ku po mbahet i burgosur aktivisti i tyre, Egzon Haliti. Aktivistë të VV-së kanë shpalosur panon me mbishkrimin “Lironi të burgosurit politikë” dhe kanë brohoritur parullën “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, filloi një aktivitet simbolik

Përmes këtij aksioni, u kërkua lirimi i Egzonit, si dhe i dy aktivistëve të tjerë që po mbahen në burgje të komunave tjera, Atdhe Arifit e Astrit Deharit.

Gjatë këtij aksioni, në fjalimin e saj, deputetja Shqipe Pantina foli për padrejtësinë që po iu bëhet këtyre të rinjve nga një pushtet që ka instrumentalizuar organet e rendit dhe drejtësisë për të luftuar kundërshtarët politikë.

“Egzoni, si dhe Atdheu e Astriti, padrejtësisht po mbahen në paraburgim. Egzoni nuk e ka vendin pas këtij muri. Vendi i tij është këtu në mesin tonë, si dhe në amfiteatër të Universitetit. Egzoni është student, është aktivist politik, si dhe asnjëherë nuk është terrorist. Prandaj ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij, si dhe Atdheut e Astritit”, tha deputetja Pantina.

Pantina tha se aty ku po mbahet Egzon Haliti duhet të jenë Adem Grabovci e klani “Pronto”. Aty duhet të jenë Kadri Veseli, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, që e kanë katandisur Kosovën në një vend me terra e gjemba.

“Pa drejtësi nuk ka qetësi, dhe drejtësia nuk bëhet me Nuhi Ukën, Sali Mekajn e të ngjashëm. Dhe ne nuk do të ndalemi asnjëherë, derisa Kosovën ta bëjmë vend ku sundon drejtësia e mirëfilltë”, shtoi Pantina.

Egzon Haliti, Atdhe Arifi e Astrit Dehari po mbahen tash e 57 ditë në burg padrejtësisht, pa asnjë provë a fakt të vetëm. Regjimi autoritar përmes taktikave policore që pengon në vazhdimësi aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me montime të ndryshme po ua mohon lirinë këtyre tre aktivistëve, si dhe Frashër Krasniqit, Adea Batushës e Petrit Ademit, që po ashtu mbahen në arrest shtëpiak. Ne do të vazhdojmë thirrjet tona për lirinë e tyre dhe për vendosje të drejtësisë, e cila do ta mbajë përgjegjës gjithë këtë organizim kriminal që ka kapur çdo pore të shtetit e shoqërisë sonë.

Të ngjashme