Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, në orë 16:00 do të zhvillojë takim me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në Prizren për të parë se cilat janë mundësitë e bashkëpunimit në mes të këtyre dy partive për ta përkrahur Haskukën në balotazhin e 19 nëntorit kundër Shaqir Totajt të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në Prizren dhe deputeti, Haxhi Avdyli, ka thënë për Klan Kosovën se takimi është kërkuar nga Vetëvendosje dhe se ai, bashkë me Hatim Baxhakun dhe zyrtarë të tjerë të LDK-së do ta presin në zyrat e tyre, Haskukën për të dëgjuar ofertën e Vetëvendosjes.
Avdyli ka thënë se qëndrimi i tyre është që këtë mandat të mbesin në opozitë, por janë të hapur për të parë se çfarë ka për të ofruar Vetëvendosje dhe cilat janë mundësitë e bashkëpunimit.
Ai ka thënë se ky është takimi i parë zyrtarë në mes të VV-së e LDK-së në Prizren dhe se takime të mëhershme, ashtu siç është raportuar nëpër media, nuk ka pasur.