Vetëvendosje i reagon ashpër Nismës pas ankesës në Kushtetuese për votat e diasporës

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje i ka reaguar koalicionit NISMA-AKR-PD, pasi që këta të fundit sot gjatë ditës u drejtuan në Gjykatën Kushtetuese për t’u ankuar për mbi katër mijë vota të mërgatës, që të hiqen nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

Kjo ankesë e tyre po shihet nga VV si mënyrë për të tentuar shpëtimin nga ndëshkimi që morën ata në zgjedhjet e gjashtë tetorit.

“Kërkesa e NISMA-s për të anuluar edhe votat e bashkatdhetarëve shpreh qartë të vërtetën e tyre për gjithë këtë proces. Pra ata për shpëtuar nga ndëshkimi që morën nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit duan të ndalojnë votat e mërgatës sonë. Ndërkaq më parë u fshehën edhe nën petkun e patriotizmit kinse duan të mos lejojnë votat nga Serbia”, ka thënë Arlind Manxhuka nga sekretariati për media, derisa ka thënë se ky koalicion do të hyjë në qeveri duke e mohuar bashkatdhetarëve të drejtën e votës, shkruan Express.

“ Kjo që ndodhi sot, ku këta kërkuan edhe nga Kushtetuesja anulimin e votave të mërgatës, shpreh fytyrën e tyre të vërtetë. Duan të hyjnë në institucionet e vendit duke ua mohuar bashkatdhetarëve tanë të Republikës të drejtën e votës. Kaq mund të themi për tendencën e tyre”, shtoi Manxhuka.

Ndryshe, koalicioni NISMA-AKR-PD është ankuar në Kushtetuese, që 4 mijë e 639 vendvotime të diasporës të mos hyjnë në rezultatin përfundimtar.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme