Vetëvendosje shpërndan afishe me logon e policisë

Prishtinë | 10 Tet 2016 | 16:52 | Nga

Disa aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” sot kanë zhvilluar një aksion simbolik, gjatë të cilit kanë shpërndarë njoftime me logo të Policisë, të cilat i thërrasin qytetarët të bëjnë kujdes. Me mbishkrimin “Kujdes: Lista e veprimeve që përbëjnë akt terrorist”.
Këto njoftime janë vendosur në veturat e parkuara nëpër shumë pjesë të kryeqytetit, po edhe u janë shpërndarë qytetarëve në rrugë.

“Vetëvendosja” ka bërë të ditur se aksionin e kanë zhvilluar për të shprehur pakënaqësinë lidhur me gjashtë aktivistët e arrestuar rreth një muaji më parë. Këta aktivistë dyshohet se kanë organizuar sulmin me predhë në drejtim të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Postimi i plotë:

KUJDES: LISTA E VEPRIMEVE QË PËRBËJNË AKT TERRORIST

Gjashtë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që prej 42 ditësh po mbahen padrejtësisht në burgje e arreste shtëpiake pa prova e pa argumente nën akuzën për terrorizëm. Të vetmet prova që Policia ka, janë disa fotografi të këtyre aktivistëve derisa ishin duke blerë kifle, duke pirë kafe duke udhëtuar me taksi ose ngjashëm. Pas kësaj, qytetarët e Kosovës nuk mund t’i besojnë Policisë së Kosovës. Përkundrazi, me një qasje të tillë policore, cilido qytetar mund të përfundojë i akuzuar për terrorizëm vetëm pse i bën punët e përditshmërisë së tij.

Për këtë, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë realizuar sot një aksion simbolik gjatë së cilit kanë shpërndarë njoftime me logo të Policisë të cilat i thërrasin qytetarët të bëjnë kujdes. Drejtor i kësaj policie e cila është e specializuar në montime të rasteve, de facto është Elmi Reçica dhe de jure është Shpend Maxhuni.

Qytetarët duhet ta dinë se cilat janë aktivitetet që mund të cilësohen si akte terroriste:

1. Blerja e telefonit te tregtarët ilegalë në shesh

2. Blerja e kifleve dhe shkuarja në Fast Food

3. Udhëtimi me taxi në qytet

4. Nxjerrja e të hollave në bankomat

5. Pirja e kafes nëpër kafenetë e qytetit

6. Blerja e motoçiklistësh apo posedimi i saj nga ndonjë familjar i juaji

7. Kritika ndaj RTK-së dhe mospërcjellja e kanali televiziv

Gjashtë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! po mbahen në burgje të dyshuar për këto veprime.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme