Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka hedhur kritika mbi kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, duke thënë se tash e dy muaj e ka lënë Prishtinën pa udhëheqësi përkundër problemeve me COVID, grip dhe mot.
“Kishin mjaftuar dy orë nga mbyllja e votimeve për pranimin e rezultatit zgjedhor nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe kandidati per kryetar, z. Arben Vitia, por nuk mjaftuan as dy muaj të plotë që kryetari i zgjedhur ta zgjedhë ekipin e tij, konkretisht t’i emërojë drejtorët dhe ta kompletojë ekzekutivin e kryeqytetit”, thuhet në reagimin e Lëvivjes Vetëvendosje Qendra Prishtinë në Facebook.
“Sot, kur po bëhen dy muaj nga dita e zgjedhjeve, jemi dëshmitarë të një fillimi dëshpërues dhe aspak shpresëdhënës nga z. Përparim Rama, i cili gjatë gjithë fushatës me pompozitet deklaronte se “e ka ekipin e gatshme” dhe “do të fillojë punën menjëherë”. Siç po shihet z. Rama nuk paska qenë fare i sinqertë në deklaratat e tij”.
“Përkundër faktit se kanë arritur koalicion me një pjesë të partive me të cilat ishin bashkë edhe me 14 nëntor, LDK-ja dhe kryetari Rama, e kane lënë qytetin dhe qytetaret tash e dy muaj në mëshirën e fatit, pa udhëheqës e pa adresë të saktë për adresimin e problemeve dhe kërkesave”.
Grupi i Këshilltarëve Komunalë i kësaj partie ka kërkuar që sa më shpejtë të kompletohet ekipi ekzekutiv i komunës, dhe të emërohen drejtorët përkatës.
“Rritja e numrit të pacientëve nëpër QMF-ja si pasojë e gripit sezonal dhe variantit të ri të COVID-it, reshjet e borës dhe rrugët me akull, problemet dhe pakënaqësitë e qytetarëve me ndërmarrjen “Prishtina Parking”, skadimi dhe mos vazhdimi i lejeve të punës për shitësit ambulant, rritja e rrezikut nga qentë endacakë si pasojë e temperaturave të ulëta dhe mungesës së ushqimit – janë vetëm disa nga problemet e shumta emergjente që janë grumbulluar e që presin veprimin e zotit Rama dhe drejtoreve të tij që akoma nuk janë askund”.
“Prandaj, Grupi i Këshilltarëve Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, vlerëson se është e nevojshme dhe e domosdoshme, sa më parë të kompletohet ekzekutivi i Komunës, të emërohen drejtorët, të funksionalizohen komisionet e Kuvendit Komunal dhe të fillojë puna e përditshme komfor autorizimeve dhe kompetencave ligjore. Vonesat e mëtutjeshme do ta vështirësojnë edhe më tepër veprimtarinë e përditshme dhe mirëqenien e qytetareve të Prishtinës”.