Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një nga tre rezolutat e miratuara në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.
Kjo rezolutë “Për angazhimin dhe të drejtat e grave” u miratua të dielën unanimisht pas diskutimeve dhe propozimeve të dhëna nga delegatët e Këshillit.
Sipas njoftimit për media nga VV, ajo përbën një zotim publik dhe të brendshëm për gjithë organizatën tonë.
Ndërsa, dy rezolutat e tjera, ajo për rininë dhe ajo për shqiptarët që jetojnë në mërgim, do të publikohen së shpejti.
Në vijim teksti i plotë i rezolutës:
REZOLUTË PËR ANGAZHIMIN DHE TË DREJTAT E GRAVE
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Të ndërgjegjshme/ëm për pabarazinë historike dhe aktuale, të krijuar përmes shtypjes politike dhe shfrytëzimit ekonomik të grave e vajzave në mbarë botën, si dhe në veçanti të grave e vajzave shqiptare, e po ashtu të grave e vajzave të pakicave kombëtare;
Të bindur/a se të drejtat politike dhe ekonomike nuk vijnë asnjëherë dhe për askënd si ndjenjë bujarie prej atyre që përfitojnë nga mohimi i këtyre të drejtave, por fitohen përmes mobilizimit shoqëror, organizimit dhe angazhimit publik;
Të vetëdijshme/ëm se patriarkalizmi ushqehet sot në çdo sferë të jetës nga sistemi aktual ekonomik, politik dhe për pasojë edhe nga disa bindje simboliko-kulturore;
Duke parë se papunësia në Kosovë ka goditur më së shumti gratë dhe vajzat, nga të cilat vetëm
1 në 8 janë sot të punësuara;
Të tronditur/a nga rastet e përdhunimeve seksuale gjatë luftës të cilat kurrë nuk i adresoi as sistemi i drejtësisë ndërkombëtare dhe as ai vendor, me rreth 20.000 viktima pa përkujdesje e trajtim institucional e të cilat mbijetojnë të traumatizuara në rrethet e tyre familjare e shoqërore, diku të heshtura e diku edhe të izoluara;
Të alarmuar/a nga rastet e dhunës në familje dhe neglizhenca e institucioneve për masa dhe reagime që do të mbronin të drejtat e grave dhe të vajzave;
Të indinjuar/a nga mënyra se si gratë e vajzat portretizohen e trajtohen rëndom si objekte a mallra konsumi të përkufizuara nga seksualiteti, ose me atributet e një fëmije të parritur, prej disa institucioneve publike e disa prej kompanive private, nga shoqëria e spektaklit në përgjithësi, nga shumë burra që zotërojnë lloje të ndryshme pushteti, por edhe nga disa gra të tjera të pushtetshme që përfitojnë nga ky trajtim;
Duke ditur se shtypja mbi baza gjinore rëndon më së shumti mbi gratë më të varfra;
Duke njohur edhe ndarjen e pabarabartë të punëve dhe mohimin e vlerës publike dhe ekonomike të punës në familje, që ka peshuar e vazhdon të peshojë më së shumti mbi gratë e vajzat, sakaq që të njëjtave u mohohet edhe e drejta e trashëgimisë;
Marrë parasysh avantazhin ideor social-demokrat dhe përpjekjen organizative të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me subjektet e tjera politike në Kosovë sa i takon synimit për barazi gjinore, por duke mbetur shumë të pakënaqur/a nga shpërputhja e qëllimeve tona në raport me situatën brenda dhe jashtë organizatës;
Të vetëdijshme/ëm që organizata jonë nuk e ka të garantuar imunitetin nga diskriminimet gjinore të cilat janë pjesë e mentalitetit të shoqërisë, dhe se ka nevojë për rritje të vetëdijes dhe punës feministe në organizatë;
Të palëkundur/a në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të përmirësuar dhe emancipuar së pari veten tonë si organizatë në angazhimin për emancipim politik, ekonomik dhe kulturor të të gjithë shoqërisë;
Të shqetësuar/a nga fakti se gratë përbëjnë vetëm 23% të anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe nga mungesa e angazhimit të grave në disa prej kryesive të organizimit në nivel komunal (Qendrat) dhe shumë prej kryesive në nivel komunitar (Pikat) të Lëvizjes VETËVENDOSJE!;
Të frymëzuar/a nga shembulli dhe kontributi i paçmueshëm i grave dhe vajzave shqiptare në të gjitha etapat historike, në të gjitha nivelet e rezistencës për çlirimin e vendit, si dhe në angazhimin e tyre të sotëm për ndryshime rrënjësore;
Të ndërgjegjshme/ëm se lufta kundër pabarazisë dhe për çlirimin e grave nga shtypja e shfrytëzimi është përpjekja për çlirimin e gjithë shoqërisë:
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!: