Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha, ka thënë se realiteti i gjendjes së komunitetit që ai përfaqëson, është i hidhur, njofton Klan Kosova.
“Kam gjetur një situatë e cila ka qenë e papranueshme. Qasja jo e mirë dhe e papranueshme ndaj komunitetit egjiptian është e dënueshme për ne. Ne po paragjykohemi mbi bazën e emrit e ngjyrës. Unë personalisht në paraqitjet e mija publike jam paragjykuar”, ka thënë Berisha në Sytë 7 të emisionit të mëngjesit në Klan Kosova.
“Ne kemi nevojë të jemi të përfaqësuar, në polici e në Institucione. Prej ditës së parë kemi pasur probleme në aplikimin për policë. Ne kemi kërkuar mirëkuptim në kuptimin e asaj që ne kemi nevojë t’i shërbejmë Kosovës. I bëjmë thirrje Institucioneve që ta shohin komunitetin egjiptian si pasuri shtetërore”.
Berisha foli edhe për raportet e tij me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.
“Kam një komunikim të drejtpërdrejt. Haradinaj ka qenë korrekt dhe kërkesat tona i ka bërë të mundshme. Për herë të parë kemi arritur të kemi buxhet në komunitetin egjiptian. Ai i ka përkrahë iniciativat tona dhe qasja e tij që është shumë e rëndësishme – pranimi i realitetit se komuniteti egjiptian është pjesë e shoqërisë”.