Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të premten pasdite në rrugën shtetërore 2409, mes Ammerndorf dhe Cadolzburg, në qarkun Furth të Bavarisë.
Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, dy persona kanë humbur jetën – një nënë dhe fëmija i saj. Një tjetër person i përfshirë në aksident ka mbetur i plagosur rëndë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 16:50, kur një Peugeot me dy persona, për shkaqe ende të paqarta, doli në korsinë e kundërt dhe u përplas ballë për ballë me një Ford që po vinte përballë, shkruan Bild.
Si pasojë e përplasjes së fuqishme, Peugeot-i mori flakë. Personat e parë që mbërritën në vendngjarje tentuan të ndihmonin.
Nëna u nxor nga automjeti që po digjej, ndërsa ekipet e emergjencës nisën menjëherë reanimimin.
Megjithatë, plagët e saj ishin shumë të rënda dhe ajo ndërroi jetë në vendin e aksidentit. As fëmija nuk mundi të shpëtonte dhe humbi jetën në këtë aksident tragjik.