Veturat e kryetarit të Gjakovës që nuk u dihet prejardhja

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 11:26 | Nga

Në deklarimin e pasurisë së kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, shihet se janë dy vetura të cilave nuk ua ka shkruar prejardhjen. Njëra veturë është Mercedes 320 CDI në vlerë prej 15 mijë euro dhe tjetra Opel Corsa në vlerë 3 mijë euro.

Këto vetura kryetari Gjini i ka paraqitur te tjera e formularit si pasuri e luajtshme, por te rubrika e prejardhjes së pasurisë për këto dy vetura, është lënë e zbrazët.

Te pasuria e paluajtshme, Gjini ka paraqitur banesën me sipërfaqe 61 metra katrorë në vlerën 30 mijë e 550 euro. Pastaj shtëpinë, për të cilën thotë se është e papërfunduar, me sipërfaqe 126 metra katrorë në vlerë prej 40 mijë euro.

Gjithashtu, kryetari i Gjakovës e ka deklaruar edhe shtëpinë e prindit me sipërfaqe prej 200 metra katrorë të cilën e ka vlerësuar 150 mijë euro.

Gjini posedon edhe një dyqan 95 metra katrorë në vlerën 190 mijë euro. Ai ka një kredi prej 13 mijë eurosh që i janë nevojitur për blerje prone.

Por, në formularin për deklarimin e pasurisë nuk është përshkruar paga e tij si kryetar komune dhe si pjesë e AAK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme