Vjedhja e institucioneve të kultit është kthyer në një fenomen shqetësues gjatë kohëve të fundit në Tiranë.
Të paktën tetë xhami janë grabitur nga persona ende të pa identifikuar të cilët kanë thyer arkat ku mbahen paratë dhe kanë marrë gjithë shumat e mbledhura për bamirësi. Besimtarët thonë se janë të shqetësuar nga këto ngjarje dhe i bëjnë thirrje policisë të identifikojë autorët.
Në këto ngjarje hajdutët kanë arritur të vjedhin vetëm arkat ku mbahen fondet që qytetarët depozitojnë vullnetarisht të destinuara për bamirësi.
Lajmi për vjedhjen e xhamive bëhet i ditur nga burime pranë prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se kanë marrë nga policia materiale hetimore për disa vjedhje të xhamive, të kryera muajt e fundit.
Xhamitë që janë vjedhur rezultojnë të jenë në Sauk, Yzberisht, Yrshek dhe fshatra të tjerë të kryeqytetit.
Deri në këtë fazë të hetimeve asnjë nga rastet e denoncuara në polici për vjedhjeve e arkave financiare, nuk rezulton të ketë persona përgjegjës. Edhe pse policia ka fiksuar gjurmë gishtash dhe shoqëruar disa persona, asnjëri prej këtyre individëve nuk është arrestuar nga policia e Tiranës.
Hetimet po kryhen nga prokuroria në bashkëpunim me policinë, me shpresën e zbulimit të këtyre vjedhjeve të objekteve të kultit. Fenomeni i vjedhjeve në Tiranë është më i përhapur për sa i përket krimeve të ndodhura.
Individë të ndryshëm, kryesisht të mitur janë personat që hasën në këto vjedhje, ku shpesh herë mosha e vogël e tyre, i favorizon përballë ligjit.
Jo më larg se një javë në Elbasan, hajdutët mundën të hyjnë në xhaminë “Mbret”, ku tentuan të vjedhin arkën e parave.
Duke qenë se e premtja është edhe dita kur besimtarët falen më së shumti, hajdutët kanë pasur informacione se në arkë ka pasur para më shumë se zakonisht. Ngjarje të tilla kanë indinjuar edhe besimtarët myslimanë, të cilët i bëjnë apel organeve të rendit të gjejnë autorët. /Ora News