Katër shqiptarë, anëtarë të një bande janë vënë në pranga pasi janë autorë të një sërë vjedhjesh të shtëpive të yjeve të Realit të Madrid dhe Atleticos. Nga hetimet e kryera janë zbuluar se vjedhjet e shtëpive të trajnerit të “Los Blancos”, Zinedine Zidane, lojtarëve Isco, Casemiro, Morata dhe Vasquez kishin të njëjtët autor, katër shqiptarë, një prej të cilëve i identifikuar si M.Z, transmeton Shqiptarja raportimet e mediave.
Ky i fundit i arrestuar edhe më parë, konkretisht në vitin 2007 për grabitjen në rezidencën e biznesmenit dhe aktorit spanjoll, José Luis Moreno, e ndërsa nuk dihet ende identiteti i 3 shqiptarëve të tjerë. Mësohet se kjo bandë ishte e përbërë nga 5 persona, por njëri prej tyre dyshohet të jetë larguar nga Spanja, drejt një vendi tjetër Europian. Në sendet e vjedhura, u gjet edhe medalja e Champions-it e lojtarit të Atletico Madrid, Thomas Partey, një sasi e madhe e bizhuterive të vjedhura dhe 10 mijë euro cash.
Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për yje të futbollit botëror, shumë kush mund të mendojë se banesat e tyre janë të sigurta, me kamera apo roje të sigurisë, por mesa duket një gjë e tillë nuk i ka penguar aspak shqiptarët. Skema ishte e njëjtë në të gjitha vjedhjet, që kryesisht bëheshin në ditë kur lojtarët kishin ndeshje të rëndësishme. Me makina të vjedhura, që u ndërronin targat, përdornin pajisje transmetimi dhe të maskuar, në mënyrë që të mos pikaseshin nga kamerat e shumta të sigurisë.
Referuar mediave spanjolle, në disa prej vjedhjeve të ndodhura, futbollistët kanë qenë në shtëpi. Më konkretisht, qershorit e kaluar, banda e shqiptarëve ka vjedhur shtëpinë e futbollistit Alvaro Morata teksa ishte në shtëpi në bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët. Më e “lehtë ka qenë puna” në shtëpinë e trajnerit Zinedine Zidane, ku në të njëjtën ditë, pak minuta më vonë, kanë vjedhur edhe shtëpinë e spanjollit Isco.
Nuk i ka shpëtuar vjedhjes as braziliani Casemiro i Realit të Madrid, pikërisht në ditën kur skuadra e tij luajti më 28 shtator derbin madrilen. Tashmë, personat e arrestuar priten të dalin përpara drejtësisë ku do të njihen me dënimin e gjykatës për vjedhjet e kryera.