Vigan Gashi, ylli që po shkëlqen në ShBA

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

E ardhmja e basketbollit të Kosovës duket se është në rrugë të mirë.

Shumë të rinj paraqiten me skuadra të ndryshme anë e mbanë botës. Së fundmi, ai që po bie në sy është Vigan Gashi, shkruan lajmi.net.

Vigani luan në pozitën e organizatorit. Gjatësia e tij është 185 cm. Hapat e parë të basketbollit i ka mësuar në akademinë e basketbollit të Prishtinës.

19 vjeçari është aktivizuar më skuadrën e Prishtinës, në kategorinë e pionierëve.

Potenciali i tij i madh, i hapi rrugët dhe bëri të mundur që karrierën ai ta vazhdojë në Turqi.

Atje u aktivizua me Trabzonsporin, ku ishte mbresëlënës. Aventura e tij në Turqi zgjati vetëm sa i takoi kategorisë së kadetëve.

Rrugëtimin e tij, Gashi e vazhdoi në Gjermani. Në kategorinë e Juniorëve ai është paraqitur me skuadrën e Bayer Leverkusen, gjithnjë duke pasur performanca të jashtëzakonshme.

Sezonin e kaluar, Vigani e përfundoi me kolegjin Wilson. Ai regjistronte 18 pikë për ndeshje dhe ishte lider në asistime me 7.6 asistime për ndeshje.

Një vit para se Gashi të paraqitej me Wilson High School, ata kishin rekord 5 fitore dhe 19 humbje. Në sezonin me Viganin, ata u ngritën në 18 fitore dhe gjashtë humbje.

Pas shtatë viteve mungesë në play off, në Pensilvani, Gashi i siguroi kolegjit të tij edhe pjesëmarrjen në play off.

Pas atij sezoni fenomenal, Gashi pranoi shumë oferta nga kolegjet amerikane. Ai këtë vit ka zgjedhur të paraqitet me DeSales University.

Gashi ka bërë të ditur se synimi i tij është paraqitja në ndonjë skuadër të Euroleague. Gjithashtu ai ka thënë se dëshira e tij është të luaj për Përfaqësuesen A të Kosovës. /Lajmi.net/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme