Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, kanë vënë gurthemelin e Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili u shpreh i kënaqur me arritjen e fillimit të ndërtimit të kësaj qendre dhe tha se kjo qendër trajtimi ka qenë shumë e nevojshme, raporton Ekonomia Online.
“Ka qenë shumë e nevojshme kjo qendër trajtimi, ështe nisë më herët, por tani po arrijmë ta kurorëzojmë fillimin e kësaj qendre. Ju kemi premtuar që do ta marrim me shumë seriozitet që qendra të mos mbetet në temel, por të ngritet në mënyrë që sportistët tanë përpos kontrollave që i kanë që duhet t’i bëjnë periodike, po ashtu ta kenë një qendër ku mund të trajtohen në rast lëndimi. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për një kategori e cila cdo ditë e më shumë po na bënë krenar”, tha Ismajli.
“E kemi një plan dinamik, do ta rishikojmë shumë shpejt edhe me operatorin ekonomik, do ta shohim a kemi mundësi me bë sa më shpejt, ka mbetë me i pa ata opsionet e tyre sepse nganjëherë varet edhe prej buxhetit une iu kam garantuar që buxhet ju siguroj, por e gjitha çka më duhet është që me marrë seriozisht edhe me përfundu sa më shpejt ndërtimin e saj. Nuk është kostoja e madhe e ndërtimit, mundemi me përballu, nuk mundemi me pas naj problem të madh kshtu që po besoj që mundemi me arritë mbrenda një ose dy vite”, tha Ismajli.
Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, tha se Kosova ka pasur nevojë shumë për një qendër të tillë dhe tani do të bëhet më e lehtë.
“Sot është ditë shumë e rëndësishme për sportin kosovar, për një qendër të tillë Kosova ka pasur nevojë shumë vite më parë, unë qysh prej vitit 2015 fatkeqësisht kam shumë lëndime dhe për një problem më të vogël duhesh me shku në spital privat kështu që kjo është diçka për të cilën ne kemi nevojë. Është mirë kur e din që në rast se lëndohesh e din ku ke me shku edhe ka kush me u përkujdesë për ty kështu që po shpresoj shumë që ky projekt ka me u përfundu sa më shpejt edhe ka me ju shërby sportistave”, tha Kelmendi.
Besim Hasani, kryetari i komunitetit olimpik të Kosovës, tha se kjo qendër i ka munguar sportit dhe se tani e tutje sportistët do të kenë përkujdesje më të madhe.
“Sot është një ditë e veçantë për komunitetin e sportit, por jo vetëm për komuntitetin e sportit sepse u vunë themelet e Qendrës Kombëtare për Mjekësinë Sportive, diçka që i ka munguar sportit të Kosovës dhe konsideroj se sportistët do të jenë edhe si preventivë që të ruhen të përkujdesen dhe të vijnë të bëjnë analizat e mëhershme në mënyrë që në fazat e mëvonshme të kenë më pak lëndime, ndërsa kur lëndohen të kenë një qendër ku do të trajtohen në mënyrën e duhur”.