Vihet gurthemeli për ndërtimin e shkollës teknike “Adem Gllavica” në Lipjan

Prishtinë | 07 Nën 2017 | 11:46 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është vënë gurthemeli për ndërtimin e shkollës teknike profesionale “Adem Gllavica“, në Lipjan.

Gurthemeli është vënë nga kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti, bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Heset Sahiti.

Bëhet e ditur se projekti për ndërtimin e kësaj shkolle do të zgjas plot tri vite, derisa shuma për fazën e parë përfshin koston prej 450 mijë eurosh, raporton Ekonomia Online.

Ahmeti ka thënë se me këtë akt po bëhet kompletimi i infrastrukturës në dy shkolla.

“Sigurisht ky është akt i shënuar për ne. Po bëhet kompletimi i infrastrukturës në dy shkolla. Njëra do të ndërtohet e re dhe tjetra do të rinovohet. Shpresojmë të përfundoj në afatin e caktuar dhe jo siç din MAShT të bëjë vonesa. Është penguar nga MAShT-i, ndërtimi i objektit të ri sepse kanë paraparë renovimin e shkollës së re, por insistimi jonë ka qenë që të ndërtohet objekti i ri. Madhësia e objektit me metra do të jetë sikurse gjimnazi i sapo ndërtuar. Renovimi i shkollës së vjetër është donacion nga USAID”, ka deklaruar i pari i Lipjanit, Ahmeti.

Në anën tjetër urimin për fillimin e punimeve e ka mirëpritur edhe zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti.

“Jam këtu t’iu uroj këtë fillim të punimeve, një fillim të shkollës së re. Është punuar në kushte jo të favorshme për nxënësit. Ky projekt është bërë nga ministria të krijohen hapësira të reja shkollore në komunën e Lipjanit. Faza e parë ndërtimore parashihet të përfundojë në fund të vitit 2018. 2 milionë euro kushton projekti, por faza e parë kushton 450 mijë euro”, ka thënë Sahiti.

Të ngjashme