Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim informues prokuroren dhe hetuesen për krime ndërkombëtare dhe dhunë seksuale gjatë konfliktit në kuadër të UN WOMEN, Maxine Markus, e shoqëruar nga drejtoresha e Qendrës për Drejtësi dhe Përgjegjësi, Kathy Roberts.
Ministrja Hoxha e falënderoi prokuroren Markus për punën e bërë deri tani, në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, njёherit shfaqi përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve.
Hoxha potencoi vullnetin dhe përkushtimin e saj institucional në forcimin, dhe qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Ristrukturimi, dhe reforma ligjore dhe institucionale, zhvillimi i kapaciteteve të aktorëve relevantë, si dhe mbështetja për fuqizimin dhe mobilizimin e përkrahjes publike për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, janë objektivat kyçe dhe zotimet e planit të veprimit”, tha ministrja Hoxha.
Prokurorja Markus shprehu mirënjohjen e saj për gatishmërinë e ministres Hoxha për të thelluar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe shfaqi qëndrimet e UN WOMEN, për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet e Kosovës, për të ofruar përkrahje dhe mbështetje për prokurorë dhe gjyqtarë që merren me rastet e dhunës seksuale gjatë luftës.
Hoxha, kërkoi që bashkëpunimi i deritanishëm të intensifikohet edhe më tej si në përforcimin e infrastrukturës ligjore, po ashtu edhe në rishikimin e ligjeve dhe gjetjen e modaliteteve më të mira, njëherit, duke përfshirë në proces të gjithë aktorët relevantë.