Të gjithë tani jemi kthyer në statistë. Prejse pandemia e koronavirusit ka bërë pikë e pesë ekonominë e botës, “Foreiogn Policy Magazine” ka analizuar se si qeveritë kanë mobilizuar burimet mjekësore, si kanë zbatuar masat e frenimit të përhapjes së virusit dhe si i kanë ndarë fondet e tyre për të ndihmuar punëtorët dhe bizneset. Dhe prej këtyre politikave të emergjencës do të mund të ngriheshin institucione dhe praktika të zgjidhjes së problemeve prej të cilave do të përfitonim të gjithë pas pandemisë.
Por, ka edhe një anë të errët. Qeveritë kanë marrë kompetenca të reja për të përgjuar dhe kontrolluar qytetarët. Disa sosh tashmë kanë abuzuar me këto kompetenca dhe është krejt e kuptueshme se qeveritë mund të mos heqin dorë prej tyre edhe në të ardhmen.
Dhe kjo tregon më së miri mënyrën se si pandemia ka zgjeruar përgjithmonë kompetencat e qeverive. Dhe për këtë kanë folur disa prej mendimtarëve më të njohur të sistemeve politike e të qeverisjes.
“Big Brother is Watching you!”
Stephen Walt thotë se qeveritë anembanë botës kanë marrë kontroll të pashembullt mbi jetën e qytetarëve, si kundërpërgjigje ndaj koronavirusit.
“Demokracitë dhe diktaturat kanë kufij të afërt. Karantinat e imponuara, mbyllja e shumicës së ekonomisë dhe zbatimi i një morie testimesh, përcjelljesh dhe përgjimesh nga regjimet me qëllim që të frenohet virusi janë shenjat e para”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ata që kanë vepruar më së shpejti, kanë zbatuar masa më të ashpra dhe ia kanë dalë të ishin më të suksesshëm në luftën kundër virusit me kurorë. “Liderët që e mohuan nuk ishin të zotët dhe u vonuan në reagim, janë përgjegjës për mijëra vdekje të parandalueshme”.
Ai ka thënë se të gjitha të dhënat që mund të merren në emër të masave për mbrojtje nga përhapja e virusit mund të përdoren nga shteti, duke kërkuar që të ketë zotim për respektim të të drejtave elementare të njeriut. “Në botën pas koronavirusit, ‘Big Brother’ do të jetë duke ju shikuar!”
Pandemia si mundësi!
Në analizën e FP-së, mendimtarja Alexandra Wrage ka thënë se së pari dëshiron të flasë për lajmin e keq. “Në kohën kur bota po derdh bilionë dollarë amerikanë në programe stimulimi dhe në sektorin mjekësor, do të ketë mundësi të pafundme për korrupsion dhe ryshfet.
“Lajmi i mirë është se historitë e pashmangshme të suksesit, pavarësisht burimeve të kufizuara dhe telasheve të tjera të lidhura me murtajën, janë një mundësi e mirë për qeverisje të mirë dhe për ngritje të llogaridhënies”, është shprehur ajo, duke shtuar se prej Pranverës Arabe e deri te lëvizjet e fundit politike nëpër botë, “ne e dimë se shoqëritë kanë pak durim ndaj korrupsionit kur popullata vuan”.
“Dhe kjo do të jetë padyshim e vërtetë kur vjen puna te qeveritë autoritare”, të cilat edhe ashtu pritet të përballen me përplasje për shkak se kanë marrë masa drastike në emër të frenimit të përhapjes së koronavirusit. Wrage ka paralajmëruar se në krejt këtë situatë mund të përfitojnë zyrtarë të lartë që kanë qasje në fonde të mëdha që do të duhej të përdoreshin për kapërcimin e krizës në mënyrë sa më të lehtë.
“Sa për krahasim, qeveritaret që janë reaguese, bashkëpunuese dhe që veprojnë mbi bazën e të dhënave dhe inovacionit u provuan se ishin superiore kundrejt autokracive në luftën kundër koronavirusit dhe lidhur me kostot ekonomike të pandemisë – duke u dhënë qeverive më shumë besim publik për të ardhmen”, është shprehur ajo.
E ardhmja përcaktohet në Azi
James Crabtree ka thënë për FP-në se pandemia e koronavirusit do të jetë hyrje në një epokë të re më të madhe, me kontroll më të madh qeveritar në jetën e përgjithshme pothuajse në të gjitha ekonomitë e zhvilluara – por ndryshimi do të ndihet në mënyrë dramatike në shtetet aziatike, që më parë mundoheshin të kishin kontroll sa më të vogël të shtetit në shoqëri.
Ai ka thënë se ndryshe prej shteteve të fuqishme perëndimore, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, të cilat kanë investuar shumë enorme parash në biznese dhe në sisteme me qëllim që qytetarët të mos ngarkohen rëndë nga barra e pandemisë, qeveritë si ato në Singapor ose Malajzi gjithnjë kanë treguar hezitim për të marrë përsipër shpenzime të larta shtetërore për ta lehtësuar jetën e ekonomisë.
“Menaxhimi i pandemive të ardhshme do të kërkojë qartazi më shumë kontroll qeveritar, përderisa shtetet do të krijojnë mekanizma të rinj për kontroll të sëmundjes, menaxhimit të vendeve të punës dhe monitorimit social, me shpresë se do t’i frenojnë shpërthimet e ardhshme të virusit para se të gjendet një vaksinë kundër virusit me kurorë”, ka deklaruar Cratbree. Megjithatë, ai mendon se në Azi do të ketë ngritje të kontrollit, kapacitetit qeveritar, avancimit teknologjik në shërbim të autoriteteve dhe zbutje masash.
“Me pak fjalë, kontrolli i madh qeveritar po rikthehet, por do të manifestohet ndryshe prej formave të mëhershme të kohës së shteteve të mëdha gjatë viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë – dhe kjo formë do të manifestohet jo vetëm në Perëndim, por edhe në Lindje”.