Qumështorja “VITA” ka reaguar pas deklarimeve të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke i cilësuar disa nga pretendimet e tij si të pavërteta dhe duke kërkuar publikimin e rezultateve të analizave të mostrave të produkteve të saj.
Në reagimin e publikuar nga kompania thuhet se deklaratat e ministrit gjatë konferencës për media nuk kanë sjellë të dhëna të reja, ndërsa theksohet se rezultatet e analizave, të cilat sipas tyre ishin premtuar se do të publikoheshin, nuk janë bërë ende publike.
“Sot, Ministri Muja gjatë konferencës për media deklaroi disa çështje të cilat lehtësisht gjinden në Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe AUVK. Vetëm i kishte përmbledhur, por nuk tregoi asgjë të re. Ajo çka nuk publikoi Ministri, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, ishin rezultatet e analizave të mostrave, të cilat menduam se do të publikoheshin sot”, thuhet në reagimin e VITA-s.
Sipas kompanisë, rezultatet e analizave nuk janë publikuar edhe pas më shumë se një muaji, ndërsa kërkohet që Ministria dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) t’i bëjnë ato publike.
“Rezultatet e analizave të mostrave nuk u publikuan! Ne jemi të bindur që të gjitha produktet tona janë të etiketuara në përputhje me dispozitat ligjore. Sidoqoftë, Ministria dhe AUVK duhet gjithsesi të dalin dhe t’i publikojnë rezultatet e analizave të mostrave, që tash e 33 ditë nuk po na i dërgojnë dhe tanimë janë edhe në shkelje ligjore”, thuhet në reagim.
VITA ka kundërshtuar edhe deklaratat e tjera të ministrit lidhur me furnizimin me ujë dhe numrin e punëtorëve, duke e ftuar atë që, sipas tyre, të konsultohet me institucionet përkatëse.
“Për sa i përket pretendimeve të tjera shpifëse për çështjen e furnizimit me ujë dhe numrin e punëtorëve, e ftojmë Ministrin që të konsultohet paraprakisht me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, sepse jemi të pajisur me Leje Ujore dhe Impiant për Trajtimin e Ujerave të ndotura, ndërkaq për numrin e punëtorëve, të konsultohet me ATK-në, sepse numrin e punëtorëve e kemi të deklaruar në ATK dhe emërtimi i kompanisë tonë është Abrazen LLC”, thuhet në reagim.
Kompania ka deklaruar se produktet e saj janë prodhim vendor dhe se përdor qumësht të freskët nga fermerët kosovarë.
“Ne garantojmë që të gjitha produktet e brendit ‘VITA’ janë prodhim 100% qumësht i freskët i fermerëve kosovarë. Ne mburremi që jemi lider në industrinë e qumështit”, thuhet në reagim.
VITA ka kërkuar nga ministri Muja që të jetë më i kujdesshëm me deklaratat publike.
“Ftojmë Ministrin që t’i ndalë shpifjet, të mirë-informohet para se të dalë në konferenca për shtyp dhe të mos publikojë të dhëna të manipuluara, në mënyrë tendencioze, sepse kështu po e fuqizon importin. Minister, duaje tenden”, thotë reagimi i kompanisë.